Ymeri: “Klani Pronto” nuk arriti të përmbysë vullnetin e qytetarëve (Video)
Lëvizja Vetëvendosje ka filluar festën në kryeqytet, ku edhe kanë dal të parët pas numërimit të votave me kusht dhe atyre me post.
Në festën të organizuar nga VV në sheshin e Prishtinës, janë mbledhur një numër i madh i qytetarëve të cilët kanë ardhur edhe nga vendet e tjera për të festuar fitoren e Shpend Ahmetit në Prishtinë.
Me këtë rast qytetarëve i është drejtuar kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri i cili thotë se përkundër tentimit, klani pronto nuk arrit të përmbysë vullnetin e qytetarëve, transmeton Indeksonline.
“Gjatë kësaj jave e patë që klani pronto dhe klani tjetër i Isa Mustafës u bën bashkë, u munduan të përmbysin vullnetin tuaj. Një ditë parazgjedhjeve dënuan aktivistët e VV-së. I arrestuan edhe deputtët e VV-së. Së bashku e përdorën PZAP-in dhe KQZ-në kundër vullnetit të qytetarëve, por nuk ia arritën, sepse ne treguam edhe njëherë se sa e rëndësishme është të jemi bashkë kundër klanit të krimit dhe uzurpimit. Kush më mirë se katër vjet më mirë e ka luftuar krimin dhe korrupsionin se Shpend Ahmeti në Prishtinë. Urime Prishtinë, urime të gjithëve”, ka thënë Ymeri.
Qytetarëve i është drejtuar edhe deputeti i VV-së, Dardan Sejdiu, i cili ishte edhe nënkryetar i Prishtinës.
Sipas tij, kjo festë, po ngjanë me atë të katër viteve më parë.
“Sot po festojmë edhe njëherë sikur katër vite më parë. Që nga nesër vazhdojmë me punë, me ç’kapje të shtetit. Dua të falënderojë vëzhguesit e KQZ-së, për një punë të palodhshme këto 5 ditë për të mbrojtur fitoren dhe për të festuar sot të gjithë së bashku”, ka thënë Sejdiu.
Gjithashtu ai ka falënderuar edhe AKR-në për mbështetje në këto zgjedhje./Indeksonline/