75 Mall Live Search
11:55 / E Enjte, 18 Shtator 2025 / F.R

YouTube shton funksione të reja AI për krijuesit e përmbajtjeve dhe Shorts-it

Gjatë eventit Made on YouTube 2025, platforma prezantoi një sërë mjetesh dhe veçorish të reja të bazuara në Inteligjencën Artificiale, të cilat synojnë të mbështesin krijuesit e përmbajtjeve në mënyrë më efikase.

Duke nisur me YouTube Shorts, Google po implementon mjetin gjenerues DeepMind Veo 3 Fast, i cili mund të krijojë sfonde për klipe të shkurtra me zë. Ky mjet ofron gjithashtu mundësi për redaktime AI, shtimin e objekteve në skena dhe konvertimin e dialogut në këngë ose shoqërim muzikor.

YouTube prezantoi gjithashtu një mjet bisedor të quajtur Ask Studio, i projektuar për të ndihmuar krijuesit të optimizojnë rrjedhën e punës, të marrin sugjerime dhe të kryejnë teste A/B për angazhim më të madh të audiencës.

Platforma ka sjell përditësime edhe për transmetimet e drejtpërdrejta dhe podkastet. Krijuesit e podkasteve do të mund të përdorin AI-në për të prerë Shorts dhe klipe të shkurtra nga episodet e plota, ndërsa mjeti Veo mund të gjenerojë video të personalizueshme vetëm nga skedari audio.

Në aspektin e monetizimit, YouTube ka shtuar opsione të reja që i afrojnë krijuesit dhe bizneset. Krijuesit tani mund të shtojnë lidhje direkte në faqet e markave brenda Shorts-it, ndërsa YouTube Shopping pritet të zgjerohet në më shumë tregje dhe shitës me pakicë, duke përfshirë edhe etiketimin automatik të produkteve për integrim më të lehtë.

Mjetet dhe veçoritë e reja do të prezantohen gradualisht deri në fund të vitit 2025 dhe në fillim të vitit 2026.