20:07 / E Mërkurë, 13 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Zaev e Haradinaj rrisin shpresën për drejtësinë e Grupit “Kumanova” (Foto)

Qëndrimi i kryeministrit maqedonas, Zoran Zaev se do të nisë një hetim ndërkombëtarë për rastin e Grupit “Kumanova”, është mirëpritur nga pala mbrojtëse e tashmë të dënuarve të këtij rasti.

Avokati i 12 pjesëtarëve të Grupit “Kumanova”, Naser Raufi ka thënë për “Indeksonline” se beson që kryeministri do të zbardhë rastin meqë ai ka filluar të zbardhë edhe raste tjera të montuara në Maqedoni.

I bindur se në këtë rast ka gisht shërbimi sekret maqedonas, Raufi është shprehur se beson në drejtësinë që do të vijë nga ndërkombëtarët.

“Unë kam besim te zotëri Zaev pasi është duke ndihmuar për zbardhjen e rasteve të montuara, po reformohet gjyqësori dhe prokuroria. Ai ka premtuar kur kemi zhvilluar takime se do ta zbardhë rastin e Lagjes së Trimave dhe që ka prova që dëshmojnë se skenari është i shërbimeve sekrete të Maqedonisë. Hetimi nga ndërkombëtarët ka qenë ide e palës mbrojtëse që në fillim, por besoj se kjo do të realizohet pasi veç e ka përmendur Zaev disa herë dhe tash e tha edhe me zotin Haradinaj. Ligji për ndihmë ndërkombëtare juridike lejon me nenin 38 që të ndihmojnë vendet që janë të interesuar”, ka thënë ai.

Raufi është shprehur se pala mbrojtëse do e pranojë aktgjykimin para fundvitit, andaj pret që hetimi të nisë në muajin janar.

Sipas tij, kjo gjë më nuk ka arsye të zvarritet meqë është qëndrim në nivel kryeministrash.

“Mendoj që shumë shpejtë do të fillojë, tashmë nuk ka asnjë pengesë pasi është vendim i kryeministrave. Kjo punë duhet të fillojë shumë shpejtë, prej janarit besoj se do të fillojë të funksionojë. Ne prej janarit e presim aktgjykimin para Vitit të Ri, ashtu na tha gjykata. Deri sa ne e punojmë seancën ankimore, është mirë që të nisin proceset për hetim ndërkombëtarë. Jam i sigurt që do zbardhet dhe që do dali se është montim i shërbimit sekret të Maqedonisë dhe të strukturave të sigurimit të Maqedonisë. Prokuroria Speciale posedon dëshmi për montimet e tyre”, ka deklaruar ai për Indeksonline.

Kujtojmë se anëtarët e Grupit “Kumanova” më 2 nëntor të këtij viti janë dënuar me 746 vjet burg. Nga 33 të akuzuarit, 8 janë dënuar me burg të përjetshëm, 13 janë dënuar me 40 vjet burg, 6 nga ta me 20 vjet, njëri me 18 vjet, 2 me nga 14 vjet dhe 2 të tjerë me nga 13 vjet.

Katër të tjerë ishin liruar nga akuza për shkak të mungesës së provave.

Me burg të përjetshëm u dënuan: Andi Krasniqi-Malisheva, Demë Shehu, Fadil Fejzullahu, Nasuf Zeqiri, Valdet Zekaj, Beg Bajra, Fejzulla Rushitovski dhe Sylejman Osmani./Indeksonline/