21:25 / E Diele, 16 Qershor 2019 / indeksADMonline

Zaev: Jo zgjedhje të parakohshme

LSDM ka vendosur që të mos ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare në Maqedoninë Veriore, edhe pse kryeministri Zoran Zaev paralajmëroi një mundësi të tillë, nëse nuk do të merret këtë verë data për hapjen e bisedimeve për anëtarësim në BE.

Pas mbledhjes së Këshillit Qendror të LSDM-së, Zaev tha se zgjedhjet nuk sjellin gjë tjetër pos radikalizimit, nacionalizimit dhe ndarjes në shoqëri.

Ai tha se është vendosur për riformatim të qeverisë, por jo më shumë se të tetë ministrive. 

Zaev njoftoi për ndryshimin edhe së paku të 20 drejtorëve. Ndryshimet tha se do të bëhen deri në fund të këtij muaji apo në fillim të muajit të ardhshëm. 

“E kam për obligim të njoftoj opinionin se pse koncepti i parë për riformatimin e qeverisë hapi mundësi plotësuese për zgjedhje dhe kthimin e mandatit. Kjo me qëllim që të dërgojmë mesazhin te vendet anëtare të BE-së se nuk do të lejojmë edhe njëherë të kthehet nacionalizmi, radikalizmi dhe populizmi në shtet. Që të ndahet sërish shoqëria dhe të konfrontohet me të gjithë fqinjët. Kështu që qëllimin e kemi arritur dhe vazhdojmë me riformatimin e qeverisë dhe jo më shumë se të tetë ministrive, apo më pak se një të tretës, pasi sikur të kishte më shumë se kjo atëherë duhet të shkojnë në zgjedhjen e tërë qeverisë, pra shkojmë në ndryshimin e jo më shumë se tetë ministrive”, tha ai.

Ndryshe, LSDM-ja në mbledhjen e këshillit Qendror ka zgjedhur edhe anëtarët e rinj të Komitetit Ekzekutiv, ndërsa nënkryetarët e partisë do të zgjidhjen në një nga mbledhjet e ardhshme të organeve partiake.