20:56 / E Enjte, 11 Korrik 2019 / indeksADMonline

“Zaev të ngritë padi penale kundër humoristëve rusë, i kanë rrënuar autoritetin”

Avokati i njohur për mbrojtje të pronësisë intelektuale Valentin Pepeljugoski, në një deklaratë për A1on ka komentuar shakanë e bërë me kryeministrin e vendit Zoran Zaev nga komedianët rus, informon Zhurnal.

Siç thotë Pepeljugoski, po të ishte ai në vendin e Zaev, do të ngriste padi penale kundër komedianëve rus, për rrënimin e autoritetit personal dhe të drejtën e privatësisë.

Sipas tij, komedianët rus nuk kanë pasur qëllime të pastërta dhe inçizimi nuk është për qëllime satirike. Siç thotë ai, inçizimi i fshehtë i bisedës me kryeministrin Zaev ka prapavijë dhe qëllim tjetër.

“Mund të besoja se qëllimet e tyre janë të ndershme, nëse në fund të bisedës do të prezantoheshin dhe tregonin se kush janë, dhe për çfarë qëllimi kanë inçizuar bisedën. E dini edhe në kamerë të fshehtë nëse ju inçizojnë në rrugë, në fund janë të obliguar të ju tregojnë dhe paralajmërojnë se jeni të inçizuar dhe me pajtimin tuaj të publikohet materiali i inçizuar. Ka rregulla që duhet respektuar, këto e dinë edhe satirikët. Se nuk kanë qenë të ndershëm, shihet edhe nga videoja e publikuar, e cila nuk është publikuar në tërësi, por është prerë dhe montuar”, thotë avokati Pepeljugoski.

Sipas avokatit, prankerët rusë nuk janë hakerë dhe nuk ekziston mundësi për sajber krim, por paraqitja e rremë, inçizimi i fshehtë dhe lëshimi pa leje në youtube, do të thotë përgjegjësi penale.

“Me këtë punë duhet të meret Prokuroria Themelore Publike e cila duhet të bie në kontakt me Prokurorinë e Rusisë. Kjo nuk është punë naive, është rrënuar autoriteti i kryeministrit, por edhe i një shteti sovran. Për këtë ata duhet të konsultohen me ekspertë rus dhe nëse ekziston mundësi, le të ecin këtë çështje së bashku. Sepse siç paralajmërojnë prankerët, ata nuk do të ndalen, ndërsa duhet t’i jepet fund sjelljes së tillë”, ka sqaruar Pepeljugoski.

Ndryshe Zaev në një prononcim të tij para mediave sqaroi se as ai asnjëherë nuk ka arritur t’i dallojë se janë humoristë dhe po tallen me të. Zaev kishte mësuar së bashku me ne të gjithë, atëditë kur u publikua video në Youtube nga dy humoristët rus.