Zafir Berisha dënohet me 600 euro për SMS-in ndaj Shaqir Totajt, njëjtë s’ndodhi me kërcënuesin e tij!

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Zafir Berisha është dënuar me një gjobë nga Gjykata Themelore e Prizrenit lidhur me kanosjen që i kishte bërë kryetarit të Prizrenit, Shaqir Totaj.
Në një prononcim për “Indeksonline”, Berisha e pranoi se i kishte dërguar mesazh Totajt, mirëpo u shpreh i pakënaqur me vendimin e institucioneve të drejtësisë rreth vlerës së gjobës.
Ai mori shembull kërcënimin që kishte marrë sa ishte zëvendës ministër i Punëve të Brendshme.
“Unë ja kam dërgu sms-in. E pranojë që ja kam qu atë mesazh. Më la përshtypje gjoba prej 600 euro sepse kur isha zv/ministër kështu kam pas një kërcënim. Personi në fjalë ishte dënuar 400 euro”, u shpreh ai.
Kujtojmë se Aktgjykimi është shpallur nga gjykatësi Refki Piraj, i cili fillimisht të akuzuarin Berisha e ka dënuar me dënim me burg në kohëzgjatje prej 6 muaj, por të njëjtin dënim e ka zëvendësuar me 600 euro gjobë.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren më 18 korrik 2022 kishte ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarit Zafir Berisha për veprën penale të “Kanosjes”. /Indeksonline/