22:38 / E Diele, 12 Janar 2020 / indeksADMonline

Zaimi: Duan ta vënë nën presion Vetëvendosjen për marrëveshje të keqe

Ish-kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje Arbër Zaimi, ka vazhduar t’u kundërpërgjigjet zërave, të cilët e bëjnë fajtore Vetëvendosjen për mosarritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Zaimi thotë se të gjithë ata që duan që Vetëvendosje të ngutet për të bërë Qeverinë, duan që ky subjekt politik të vihet në presion për ta bërë ndonjë marrëveshje të keqe.

Sipas tij partia që përfaqëson nuk mund të krahasohet me partitë e tjera, transmeton Indeksonline.

Zaimi theksoi se partitë e tjera negociatat për koalicion qeverisëse i kanë bërë shpejt, e poashtu edhe marrëveshjet e tjera.

Postimi i plotë:

Sa çudi, ata që s’na kanë votuar kurrë po thonë se janë lodhur nga vonesat dhe nga bisedimet për koalicion, dhe si hakmarrje s’do të na votojnë më kurrë.

E ata që na kanë sharë gjithnjë, nëpër banakë mediash a kafesh, edhe ata të lodhur e të mërzitur nga vonesat, kanë nisur të na shajnë prapë. Sharjet e njëjta: jeni njësoj si të tjerët, nuk i përshtateni askujt, e keni vetëm për pushtet, nuk doni pushtet.

(Dhe pse të tjerët kurrë s’u vonuan në negociata, qeveritë i bënë shpejt, edhe marrëveshjet me Serbinë e privatizimet korruptive po aq shpejt.)

Më qesharakët janë hajnat e ish-qeverisë, që po i shfrytëzojnë edhe këto ditë jashtë afatit për vjedhjet e fundit. Edhe ata po thonë se janë lodhur nga vonesat për krijimin e qeverisë së re.

Ky cirk honxho-bonxhosh duan të vënë nën presion Lëvizjen për marrëveshje të keqe. Po t’ua kishte vënë veshin Lëvizja presioneve të tilla, sot s’do ishim subjekti më i madh në vend.