Zaniolo akuzohet për sulm fizik ndaj dy lojtarëve të Romës

Sulmuesi i Fiorentinës, Nicolo Zaniolo ndodhet në telashe të mëdha.
Italiani është akuzuar nga Roma, për dhunë ndaj dy lojtarëve të rinj.
Ngjarja ka ndodhur pas ndeshjes së U-19, mes Fiorentinës dhe Romës. Në përfundim të takimit, Zaniolo u fut në dhomat e zhveshjes, ku kishte një përplasje me dy futbollistë të rinj të verdhekuqve.
Sipas “Sportitalia”, Zaniolo ka goditur dy lojtarë të Romës, diçka që më vonë u konfirmua nga vetë klubi kryeqytetas, nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale.
“Roma njofton se pas ndeshjes së sotme ka ndodhur një incident i pakëndshëm që përfshin Nicolo Zaniolon. Sipas informacioneve fillestare, ai hyri në dhomën e zhveshjes së ekipit tonë pas ndeshjes dhe shfaqi sjellje provokuese ndaj disa prej lojtarëve të rinj. Gjatë përballjes, dy nga lojtarët tanë u sulmuan fizikisht. Roma dënon kategorikisht çdo formë sjelljeje agresive, e cila nuk është në përputhje me vlerat sportive”, thuhet në reagim.
Nga ana tjetër, Zaniolo pranoi se kishte qenë në dhomat e zhveshjes, por mohoi të ketë përdorur dhunë ndaj lojtarëve.