75 Mall Live Search
09:20 / E Premte, 01 Gusht 2025 / k.v

Zbardhen detaje të reja për rastin e rrëmbimit në Prishtinë, arrestohen dy persona, në kërkim edhe dy të tjerë

Policia e Kosovës ka dhënë detaje të reja lidhur me rastin e rrëmbimit që ndodhi të martën, më 29 korrik 2025, rreth orës 03:30 të mëngjesit në Prishtinë. Pas hetimeve intensive, hetuesit policorë kanë arritur të lokalizojnë dhe arrestojnë dy persona të dyshuar, të dy shtetas kosovarë.

Gjatë arrestimit, nga të dyshuarit është sekuestruar një armë zjarri, pistoletë e kalibrit 9 mm, e cila dyshohet të jetë përdorur gjatë kryerjes së rrëmbimit.

Armës i mungonin karikatori dhe fishekët. Po ashtu, është gjetur edhe portofoli me dokumente personale të viktimës.

Hetimet kanë zbuluar se në këtë rast janë të përfshirë edhe dy persona të tjerë, të cilët aktualisht janë në kërkim nga policia.

Me vendim të prokurorit, të dy të dyshuarit e arrestuar janë dërguar në mbajtje, ndërkohë që hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë ende në vazhdim.

Policia fton qytetarët që posedojnë informacion të rëndësishëm për këtë rast, të kontaktojnë autoritetet përmes numrave zyrtarë ose kanaleve të sigurta./IndeksOnline/