12:50 / E Mërkurë, 07 Mars 2018 / indeksADMonline

Zbardhet skema, si Muçaj shiste 2500 euro diplomat e “Kristalit”

Ditën e djeshme policia e Tiranës vuri në pranga, Ahmet Muçajn, ish-pronarin e universitetit “Kristal”.

Muçaj akuzohet për “falsifikim dokumentash” dhe dhënie diplomash fallco në këmbim të 2500 eurove.

Ditën e sotme burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se nën hetim janë edhe disa persona nga Ministria e Brendshme.

Si ra në kurth Muçaj?

Ka qenë një vajzë nga Laçi, e cila ka bashkëpunuar me Prokurorinë e Tiranës për një muaj.

Ajo është takuar përmes një sekseri me Ahmet Muçajn dhe ka kërkuar që të marrë një diplomë në Universitetin “Kristal”, edhe pse ky i fundit është mbyllur.

Ajo ka paguar fillimisht 1 mijë euro dhe më pas do të paguante edhe 1500 euro pasi të merrte diplomën.

Ditën e djeshme, ajo është takuar me të arrestuarin, ku i ka dorëzuar paratë dhe ka marrë diplomën. Më pas ka ndërhyrë Policia dhe ka arrestuar Muçajn dhe ka shpallur në kërkim sekserin.

Skema e diplomave :

Që pas mbylljes së Universitetit “Kristal”, në vitin 2014 me vendim të Këshillit të Ministrave, Muçaj ka ruajtur numrat e amzës që ka marrë para vitit 2012, pra, para vitit kur iu pezullua licenca.

Persona të ndryshëm që kërkonin të diplomoheshin në mënyrë fiktive paguanin shuma parash te Muçaj dhe ky i fundit, duke përdorur numrat e amzës që kishin mbetur bosh, falsifikonte diplomat, shkruan Panorama.

Në këtë mënyrë, personat që blinin diplomat figuronin të diplomuar që para vitit 2012. Edhe në rastin në fjalë, ku vajza 30-vjeçare bashkëpunoi me drejtësinë, është vepruar në të njëjtën mënyrë. Ajo mori një diplomë si juriste dhe figuron e regjistruar në universitet në vitin 2010 dhe e diplomuar në vitin 2013.

Në diplomë është edhe firma e ish-dekanit, por Policia dyshon se ajo mund të jetë falsifikuar. Megjithatë, Prokuroria e Tiranës do të bëjë të gjitha verifikimet e nevojshme për rastin në fjalë. “Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë ka regjistruar procedimin penal nr. 741, datë 22.01.2018, lidhur me referimin e bërë nga Drejtoria Vendore e Policisë së Tiranës, për dyshime në dhënien e diplomave të falsifikuara.

Në kuadër të këtij hetimi, Drejtoria Vendore e Policisë së Tiranës, në bashkëpunim me Prokurorinë, kanë arrestuar në flagrancë shtetasin Ahmet Muçaj, ishadministrator i Universitetit “Kristal”, për veprën penale “korrupsion pasiv në sektorin privat”.

Ai është arrestuar në kushtet e flagrancës, duke i dorëzuar një diplomë të falsifikuar të nivelit bachelor, dega Drejtësi, një shtetaseje kundrejt një pagese”, shkruan një njoftim i Prokurorisë së Tiranës.

Temat: