75 Mall Live Search
19:27 / E Enjte, 09 Tetor 2025 / Z S

Zbardhet vendimi i Kushtetueses: Ja pse u rrëzua dekreti i Presidentit për zgjedhjet në Tiranë

Është zbardhur vendimi i Gjykata Kushtetuese që ndalon zhvillimin e zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës, duke pezulluar dekretin e Presidentit të Republikës për caktimin e datës së zgjedhjeve vendore.

Ky vendim vjen pas kërkesës së Erion Veliajt, i cili i është drejtuar Gjykatës me pretendimin se shkarkimi i tij nga detyra me vendimin e Këshillit të Ministrave është në kundërshtim me Kushtetutën.

Në seancën e mbajtur më 9 tetor 2025, Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, e kryesuar nga Holta Zaçaj, vendosi se zbatimi i dekretit presidencial do të sillte pasoja të pariparueshme në drejtim të të drejtave të të zgjedhurit vendor.

Sipas vendimit, nuk mund të zhvillohen zgjedhje për Bashkinë e Tiranës për sa kohë është ende në shqyrtim ligjshmëria e vendimit të Këshillit të Ministrave që e shkarkoi Veliajn, shkruan A2 CNN.

Gjykata u mbështet në nenin 45 të ligjit për organizimin e saj, sipas të cilit, nëse zbatimi i një akti mund të sjellë pasoja të pariparueshme për interesa shtetërore, shoqërore apo individuale, ajo mund ta pezullojë atë përkohësisht.

Në këtë rast, gjyqtarët arritën në përfundimin se dekretimi i zgjedhjeve për Tiranën, përpara se të shqyrtohet ligjshmëria e shkarkimit, cenon rëndë të drejtën kushtetuese të të zgjedhurit vendor dhe mund të krijojë një precedent të rrezikshëm për funksionimin e institucioneve vendore.

Me këtë vendim, procesi për zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës ndalet zyrtarisht, deri në përfundimin e shqyrtimit kushtetues për ligjshmërinë e shkarkimit të Veliajt.

Dekreti presidencial është pezulluar vetëm për pjesën që lidhet me Tiranën, ndërsa pjesa tjetër e zgjedhjeve për njësitë e tjera vendore mbetet në fuqi.