75 Mall Live Search
12:56 / E Martë, 02 Dhjetor 2025 / P M

Zbardhet vrasja e biznesmenit, policia arreston 2 persona, shpall në kërkim autorët

Policia e Elbasanit ka zbardhur dhe ka shpallur në kërkim dy autorët e dyshuar të vrasjes së biznesmenit Edmond Mëhalla, i cili u ekzekutua mbrëmjen e së dielës pranë karburantit në pronësi në tij në unazën juglindore të Elbasanit.

Marselo Arani 32 vjeç dhe Armando Kola, 35 vjeç janë identifikuar dhe shpallur në kërkim nga policia e Elbasanit si autorët e dyshuar të kësaj vrasjeje. Një prej të dyshuarve, Marselo Arani banues ne Elbasan, rezulton me masë sigurie arrest në shtëpi për një tjetër vepër penale. Ndërsa i dyshuari tjetër është banues në qytetin e Laçit, shkruan A2 CNN-i.

Gjithashtu policia ka arrestuar pronarin e mjetit tip “Audi”, Xhino Ago,32 vjeç banues në Elbasan, i cili akuzohet si bashkëpunëtor në këtë vrasje, duke u dhënë hua mjetin e tij autorëve të shpallur në kërkim. Në pranga ka rënë gjithashtu edhe roja i karburantit, ku u vra biznesmeni, Kujtim Pisha 52 vjeç i akuzuar për moskallëzim krimi.

Të dhënat paraprake hetimore ngrenë dyshime se motivet e vrasjes së biznesmenit Edmond Mehalla kanë të bëjnë me konfliktet që ka pasur i ndjeri për shkak të bizneseve të tij, por pa specifikuar konkretisht. Gjithashtu grupi i hetimit po vijon verifikimet për identifikimin edhe të personave të tjerë të përfshirë ose të interesuar në këtë atentat.