75 Mall Live Search
16:18 / E Premte, 22 Nëntor 2024 / MSH

Zbatimi i kontratave kolektive, AKK-ja parashikon dëme për komunat vitin e ardhshëm

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka deklaruar se zbatimi i kontratave kolektive do të sjellë dëme për komunat gjatë vitit të ardhshëm.

Sipas drejtorit ekzekutiv të këtij asociacioni, Sazan Ibrahimi, fajtor për këtë është Kuvendi i Republikës së Kosovës, i cili nuk ka gjetur zgjidhje për “ndalimin e gjakderdhjes” financiare të shkaktuara nga kjo kontratë.

Ibrahimi thotë se, pavarësisht përpjekjeve të AKK-së, kuvendi nuk ka përkrahur kërkesën e komunave, që parasheh një vijë buxhetore në buxhetin e përgjithshëm për mbulimin e shpenzimeve, që burojnë nga kontratat kolektive.

“Deri më tani Komunave iu janë marrë padrejtësisht mbi 123 milionë euro, ku si pasojë shumë e shumë projekte nuk kanë mundur të realizohen. Gjykata komerciale për më shumë se dy vite nuk po i shqyrton kërkesat e komunave për problematikën e kontratës kolektive”, është shprehur Ibrahimi.

Ai thotë se nëse komunave iu kushton nga 240 mijë euro për zbatimin e kontratës kolektive, kësaj shume i shtohen edhe 120 mijë euro të tjera për proceset përmbarimore, gjykata e të tjera.

Ky është reagimi i plotë i tij:

EDHE KUVENDI I REPUBLIKËS SË KOSOVËS NUK E GJETI ZGJIDHJE PËR NDALIMIN E GJAKDERDHJES FINANCIERE TË SHKAKTUARA NGA KONTRATAT KOLEKTIVE -KOMUNAT EDHE VITIN NË VITIN 2025 DO TË DËMTOHEN SHUMË NGA ZBATIMI I KONTRATAVE KOLEKTIVE

Edhe përkundër përpjekjeve të Asociacionit të Komunave të Kosovës, Kuvendi I Republikës së Kosovës nuk e ka përkrahur kërkesën e Komunave që ta parasheh një vijë buxhetore në buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2025 për mbulimin e shpenzimeve që burojnë nga kontratat kolektive. Deri më tani Komunave iu janë marrë padrejtësisht mbi 123 milion euro, ku si pasojë shumë e shumë projekte nuk kanë mundur të realizohen. Gjykata komerciale për më shumë se dy vite nuk po I shqyrton kërkesat e Komunave për problematikën e kontratës kolektive. Bazuar në Ligjin e miratuar mbrëmë, shihet se Kuvendi e ka amandamentuar një nen, përkatësisht nenin 34 në paragrafin 5 të ligjit ku thuhet që: BUXHETI I PARAPARË PËR POZITAT E PAPLOTËSUARA LEJOHET TË PËRDORET VETËM PËR POZITAT E REJA QË REKRUTOHEN PËRGJATË VITIT FISKAL NË ATË ORGANIZATË BUXHETORE (OB), PËRJASHTIMISHT KJO NDARJE BUXHETORE MUND TË PËRDORET NGA OB PËR PAGESËN E DETYRIMEVE QË MUND TË RRJEDHIN NGA VENDIMET E GJYKATAVE TË FORMËS SË PRERË.

Kjo assesi nuk bën zgjidhje të problemit që komunat po ballafaqohen me zbatimin e kontratave kolektive. Në bazë të analizave të AKK-së, del që buxheti I mundshëm që komunat mund ta kenë për vitin 2025, bazuar në nenin e lartpërmendur, pra për pagesën e detyrimeve që mund të rrjedhin nga vendimet e gjykatave të formës së prerë janë rreth 12.7 milion euro dhe kjo mund të zbatohet vetëm nëse komunat nuk rekrutojnë as edhe një zyrtar publik për pozitat që I kanë në dispozicion. KJO NUK ËSHTË ZGJIDHJE. Komunave vetëm në vitin 2024 iu janë marrë mbi 62 milion euro dhe ky trend është duke vazhduar. Realiteti është I hidhur por vullneti dhe gatishmëria nga niveli qendror për ta zgjidhur këtë problem po mungon. Arsyet që kjo nuk po zgjidhet nga niveli qendror mund t’i dijnë shumica e kryetarëve, por këto arsye ata mund t’i bëjnë të ditura vitin 2025, atëherë kur janë edhe zgjedhjet lokale.

Sa I përket gjakderdhjes financiare, vetëm një shembull konkret; nëse një komune i merren 240 mijë euro për zbatimin e kontratës kolektive, kësaj shume I shtohen edhe 120 mijë euro të tjera për, proceset përmbarimore, gjykata, avokat etj. Pra, kostoja totale mund të shkojë deri në 360 mijë euro, pra kemi ngritje të shpenzimeve për 50% e që kjo % paguhet nga taksat e qytetarëve të Republikës së Kosovës.