Zbulimi i mbetjeve mortore në veri, dyshohet se janë nga periudha e luftës
Disa familjarë ishin duke e hapur një varr të ri te varrezat myslimane në Mitrovicën e Veriut, kur aksidentalisht zbuluan mbetje skeletore.
Nuk vonuan shumë dhe përgjegjësit e mirëmbajtjes së varrezave në bashkëpunim me qytetarët informuan policinë e Kosovës.
E menjëherë pas marrjes së informacionit në vendngjarje dolën zyrtarë nga Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur, Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore.
Dyshimet e para janë se këto mbetje mortore i takojnë periudhës së luftës.
“Vendndodhja e tyre dhe mënyra se si ishin varrosur këto mbetje kockore lë përshtypjen se mund t’i përkasin luftës së fundit. Ne tashmë kemi bërë tërheqjen e mbetjeve, dhe sipas analizave të para, mund të themi se bëhet fjalë për një individ. Ato janë dërguar pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore, ku së shpejti do të fillojë ekzaminimi mjeko-ligjor dhe më pas marrja e mostrave për analizë të ADN-së”, tha Valon Hyseni – ekspert mjekoligjor.
Eksperti mjeko-ligjor, tregon se janë duke kryer gërmime edhe në disa zona të tjera brenda territorit të Kosovës.
“Sot kemi qenë në gërmime në fshatin Lismir të Komunës së Fushë Kosovës, por fatkeqësisht nuk kemi hasur në mbetje mortore. Ju e dini se javën e kaluar kemi pasur gjetje në varrezat e lagjes Hajvali në Komunën e Prishtinës, dhe ky proces ende nuk ka përfunduar”, shprehet Hyseni.
Sipas Hysenit, sfidat kryesore në procesin e kërkimit lidhen me mungesën e burimeve të sakta të informacionit, pasi ka kaluar një kohë e gjatë nga përfundimi i luftës. Shumë dëshmitarë tashmë nuk jetojnë, ndërsa disa të tjerë e kanë harruar vendndodhjen e trupave.
Që nga përfundimi i luftës në Kosovë, mbi 1.500 persona vazhdojnë të figurojnë si të zhdukur./teve1/

