75 Mall Live Search
13:30 / E Mërkurë, 21 Tetor 2020 / indeksADMonline

Zbulimi i “New York Times”-it, Trumpi ka llogari bankare, në Kinë, dhe paguan taksa në këtë vend

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka një llogari bankare kineze dhe për vite me radhë ka zhvilluar projekte biznesi në këtë vend.

Zbulimin e bën “New York Times”-i, sipas së cilës llogaria kontrollohet nga “Trump International Hotels Management” dhe ka paguar taksa lokale mes viteve 2013 dhe 2015. Po e njëjta gazetë, zbuloi pak më herët se presidenti kishte paguar vetëm 750 dollarë taksa federale në SHBA më 2016 dhe 2017, kur u bë president.

Ndërkaq, përmes llogarisë kineze, mësohet të ketë paguar mbi 188 mijë e 500 dollarë taksa lokale. Sipas një zëdhënësi të presidentit, llogaria ishte hapur për të eksploruar potencialin për ujdi hotelesh, në Azi.

Trumpi ka kritikuar kompanitë amerikane që bëjnë biznes me Kinën dhe i dha nismë një lufte tregtare midis dy vendeve. Në shënjestër të sulmeve lidhur me politikat në drejtim të Kinës, ka qenë edhe rivali Joe biden, djalin e të cilit e akuzon për ujdi të dyshimta me Pekinin.

Por të dhënat diskale të demokratit nuk treguan ndonjë ujdi biznesi që lidhej me Kinën. Alan Garten, avokat i organizatës “Trump”, e cilësoi artikullin e “New York Times”-it si spekulim të pastër.

“Nuk është materializuar asnjë ujdi, transaksion dhe aktivitete të tjera biznesi dhe që prej 2015-s, zyra ka mbetur inaktive. Edhe pse llogaria është e hapur ajo nuk është përdorur kurrë për qëllime të tjera”, shprehet ai.

Në muajin gusht, Trumpi tha se do të ulte taksat për të joshur firmat amerikane të zhvendoseshin jashtë Kinës dhe kërcënoi të prishte kontratat qeveritare me ato kompani që vijonë bashkëpunimin me këtë shtet.