Zbulohen detaje të reja interesante rreth modeles sllovake dhe pilotit privat të Epsteinit
Sipas dokumenteve të publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë (DOJ), Nadia Marcinko, modelja sllovake e kthyer në pilote të avionit privat të Jeffrey Epstein, i njohur si “Lolita Express”, bashkëpunoi me autoritetet federale në këmbim të ndihmës për rregullimin e statusit të saj të emigracionit në SHBA.
Marcinko (40) konsiderohet si një nga personat më misteriozë të lidhur me aferën që rrethon Jeffrey Epstein, transmeton Indeksonline.
Në atë kohë, ajo u deklarua fajtore për akuzat shtetërore për prostitucion në vend që të përballej me akuza më të rënda federale për trafikim të të miturve për shfrytëzim seksual.
Marcinko u përmend si një nga bashkëpunëtorët e dyshuar në marrëveshjen e vitit 2008, por ajo nuk u akuzua kurrë penalisht. Avokatët e saj pretendojnë se ajo vetë ishte viktimë.
Letra e vitit 2022, e përpiluar nga agjentë federalë dhe e përfshirë në dosjet e publikuara, konfirmon për herë të parë se midis viteve 2018 dhe 2022, Marcinko dha informacione rreth Epstein dhe bashkëpunëtores së tij të gjatë, Ghislaine Maxwell.
Agjentja Speciale Amanda Young e Divizionit të FBI-së për Shfrytëzimin e Fëmijëve dhe Trafikimin e Qenieve Njerëzore tha se Marcinko “mori pjesë në takime të shumta telefonike dhe ballë për ballë” si pjesë e hetimit për akuzat penale kundër Epstein dhe Maxwell, raporton NY Post .
Në këmbim të bashkëpunimit, avokatët e saj i kanë kërkuar FBI-së ndihmë për ta lejuar atë të qëndrojë në SHBA pasi të skadojë vizae saj në vitin 2022.
Në një letër drejtuar autoriteteve amerikane të imigracionit, FBI deklaroi se Marcinko ishte viktimë e trafikimit të qenieve njerëzore dhe se ajo nuk mund të kthehej në Sllovaki për shkak të hakmarrjeve të mundshme pas bashkëpunimit me autoritetet federale. Një deklaratë e paraqitur në Shërbimet e Shtetësisë dhe Imigracionit të SHBA-së thotë se ajo ishte “rekrutuar, mbajtur dhe shfrytëzuar” nga Epsteini dhe të tjerë me qëllim të marrëdhënieve seksuale të detyruara.

Besohet se Marcinko ka mbërritur në SHBA në fillim të viteve 2000, pasi mori një vizë përmes një agjencie mode të lidhur me bashkëpunëtorin e Epstein, Jean-Luc Brunel. Viti i saktë i mbërritjes së saj nuk dihet.
Në email-et që ajo shkëmbeu me Epstein-in, të cilat u shqyrtuan nga mediat amerikane, Marcinko deklaron se marrëdhënia seksuale filloi në vitin 2003, kur ajo ishte 18 vjeç. Disa viktima nga West Palm Beach u thanë hetuesve se ishin detyruar të kryenin marrëdhënie seksuale me Marcinkon në vitin 2002, kur të dy ishin të mitur.
Korrespondenca zbulon një marrëdhënie manipuluese dhe toksike. Sipas mesazheve, Epstein e qortoi Marcinkon për dështimin e saj të supozuar për të “rekrutuar” vajza të tjera të reja.
Rreth vitit 2010, Marcinko, sipas emaileve, u përpoq t’i jepte fund lidhjes dhe të bëhej e pavarur. Megjithatë, komunikimi vazhdoi dhe ishte gjatë kësaj periudhe që ajo mori një licencë piloti dhe filloi të fluturonte me aeroplanin privat të Epstein, të cilin prokurorët pretendojnë se ai e përdori për të transportuar viktimat në të gjithë botën, përfshirë ishullin e tij privat të Karaibeve, Little Saint James.
Në vitin 2011, ajo lançoi kompaninë e saj ajrore, Aviloop, me mbështetjen financiare të Epstein. Sipas mesazheve në dispozicion, ishte kjo sipërmarrje biznesi që i lejoi asaj të qëndronte në SHBA pasi viza e saj e modeles nuk iu zgjat.
Komunikimi midis Epstein dhe Marcinko pushoi në vitin 2018, të njëjtin vit që ajo filloi të bashkëpunonte me autoritetet federale. Pasi viza e saj si investitore skadoi në vitin 2021, avokatët e saj iu drejtuan përsëri FBI-së për ndihmë, tregojnë dokumentet.
Marcinko u akuzua në dokumentet e gjykatës së Floridës për përfshirje në akte seksuale me të mitur për të “kënaqur dëshirat seksuale kriminale të Epstein”, por ajo nuk u akuzua kurrë. Avokatët e saj refuzuan të komentonin mbi zbulimet e fundit./Indeksonline/

