Zbulohen detaje të reja mbi vrasjen e Charlie Kirk/ Autori i dyshuar, në lidhje me një person transgjinor

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me vrasjen e aktivistit konservator amerikan, Charlie Kirk, ku si i dyshuar kryesor është identifikuar 22-vjeçari Tyler Robinson. Sipas mediave amerikane, Robinson jetonte në të njëjtin apartament me një person transgjinor, i cili ndodhej në proces tranzicioni gjinor nga mashkull në femër.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se bashkëjetuesi i Robinson-it po bashkëpunon plotësisht me autoritetet. Ai ka dorëzuar komunikime të zhvilluara përmes platformës Discord, ku thuhet se Robinson kishte zbuluar vendndodhjen e armës së përdorur në krim — një zonë pyjore pranë qytetit.
Sipas FBI-së, të cituar nga Fox News Digital, Robinson dhe bashkëjetuesi i tij, Lance Twiggs, ishin më shumë se thjesht shokë apartamenti — ata dyshohet se kishin një marrëdhënie romantike. Twiggs nuk është nën hetim penal dhe nuk konsiderohet i përfshirë në ngjarjen kriminale, por vijon të bashkëpunojë me hetuesit.
Megjithatë, identiteti i plotë i Twiggs mbetet i paqartë. Emri i tij nuk është përmendur në dokumentet zyrtare të hetimit dhe familjarët nuk kanë konfirmuar publikisht nëse ai është personi transgjinor në fjalë. Një i afërm i ka thënë mediave se Twiggs ishte “djali problematik i familjes.”
Ndërkohë që spekulimet mbi një motiv të mundshëm politik apo të lidhur me identitetin gjinor të autorit qarkullojnë në media, autoritetet nuk kanë konfirmuar asnjë pistë të saktë. Gjyshi i viktimës ka refuzuar të komentojë mbi natyrën e marrëdhënies mes autorit dhe bashkëjetuesit, duke deklaruar: “Nuk jam i sigurt se çfarë po ndodh me të në këtë moment.”
Sipas Daily Mail, Robinson dhe Twiggs ishin pjesë e një grupi të madh miqsh që komunikonin në mënyrë të rregullt përmes platformës Discord. Shumica e tyre ishin të diplomuar në gjimnazin Pine View, ku dyshohet se janë krijuar lidhjet sociale që çuan në rrjetin e komunikimit përmes rrjeteve online.