Zbulohen prioritetet e Joe Biden-it në krye të Shtëpisë së Bardhë

Menaxhimi i situatës nga pandemia COVID-19 pritet të jetë një nga përparësitë dhe detyrat e para të presidentit të zgjedhur amerikan, Joe Biden.
Duke bërë me dije hapat e parë të tranzicionit, ekipi i tij ka njoftuar se do të kërkohen më shumë testime për COVIDIN-19 dhe amerikanëve do t’u kërkohet mbajtja e maskës.
Ekonomia çështjet racore dhe klima pritet të jenë të tjera prioritete. Madje ai ka krijuar edhe një website transicioni me katër prioritetet e ditësës së parë.
Sipas mediave amerikane, presidenti i zgjedhur do të lëshojë disa urdhra ekzekutivë – për Qeverinë federale që nuk kërkojnë miratimin e Kongresit – që synojnë përmbysjen e politikave të diskutueshme të Trumpit, sikundër janë:
Bideni do të bashkohet me marrëveshjen e Parisit për klimën
Ai do të ndryshojë vendimin për t’u tërhequr nga Organizata Botërore e Shëndetësisë
Do t’i japë fund ndalimit të udhëtimit të qytetarëve nga shtatë vende kryesisht myslimane
Do të rivendosë një politikë të epokës së Obamës për dhënien e statusit të imigracionit migrantëve pa dokumente që hynë në SHBA. si fëmijë
Në fjalimin e tij të parë si president i zgjedhur Biden tha se ishte “koha për ta shëruar” SHBA-në dhe u zotua ta bashkojë vendin.
Në SHBA ka një periudhë transicioni midis zgjedhjeve dhe inaugurimit të një presidenti të ri, ceremoni që zhvillohet në janar në mënyrë që administrata e ardhshme të mund të përgatisë një Qeveri të re.
Nga ana tjetër, presidenti aktual Donald Trump, i cili e kaloi fundjavën duke luajtur golf është rikthyer në Shtëpinë e Bardhë dhe ende nuk e ka pranuar rezultatin e zgjedhjeve, madje duke u shprehur se do të kërkojë numërim votash në disa shtete kryesore.