75 Mall Live Search
22:53 / E Shtunë, 04 Tetor 2025 / MSH

Zbulohen prova për ekzistencën e një planeti të fshehur

Një planet i fshehur mund të jetë pjesë e sistemit tonë diellor dhe astronomët kanë zbuluar prova të reja që dëshmojnë ekzistencën e tij.

Planeti Y, mendohet se ndodhet në skajet më të largëta të sistemit tonë diellor, rreth 100 ose 200 herë më larg se Toka. Kjo botë e re e padukshme, mendohet të jetë më e vogël se Toka dhe më e madhe se Mërkuri.

Astronomët e mbështesin hipotezën e tyre në anomalitë e vëzhguara në orbitat e objekteve të largëta në Rripin Kuiper, një rajon përtej Neptunit i mbushur me trupa të akullt.

Këto anomali, të tilla si pjerrësitë e papritura orbitale, aludojnë në ndikimin gravitacional të një planeti të padukshëm. Disa objekte të Rripit Kuiper kanë orbita të zgjatura dhe shumë eliptike që i çojnë ato shumë përtej vetë Rripit.

Graviteti i Planetit Y mund të shpjegojë pse këto objekte janë “të shkëputura”, shumë larg Neptunit.

Ndërsa Planeti Y nuk është vëzhguar drejtpërdrejt, ekzistenca e tij mbetet një subjekt i kërkimeve dhe debateve të vazhdueshme brenda komunitetit shkencor.

Koncepti i planetëve të fshehur përtej Neptunit nuk është i ri. Kërkimet historike për të ashtuquajturin Planet X datojnë që nga fillimi i shekullit të 20, pas zbulimit të Neptunit në 1846. Plutoni fillimisht u konsiderua si kandidat për Planetin X kur u zbulua në 1930, megjithëse më vonë u riklasifikua si një planet xhuxh për shkak të madhësisë së tij të vogël.

Ideja e Planetit Y prezanton mundësinë e shumë planetëve të pazbuluar në zonat e jashtme të sistemit tonë diellor.