75 Mall Live Search
10:22 / E Hënë, 03 Nëntor 2025 / H F

Zbulohet arma e frikshme e Putinit, supertorpeda “Poseidon” që mund të zhysë të tërë Manhatanin nën ujë

Sipas një raportimi të Daily Mail, Rusia ka zbuluar një armë të re bërthamore që po cilësohet si më e frikshmja e ndërtuar ndonjëherë nga Moska.

Arma quhet “Poseidon”, një supertorpedë me energji bërthamore dhe me ngarkesë bërthamore, e aftë – të paktën në teori – të zhysë brigjet amerikane nën ujëra radioaktive.

Sipas burimeve perëndimore, “Poseidon” është projektuar për të vepruar në thellësi të mëdha, me qëllim që të shmangë sistemet e mbrojtjes detare dhe të shkaktojë cuname të përmasave katastrofike.

Raporti thekson se një shpërthim i tillë pranë brigjeve të SHBA-së do të mund të zhyste qytete të tëra, përfshirë Manhattanin, nën ujëra të kontaminuara.

Publikimi i këtyre detajeve ka ngritur alarmin në Uashington, ndërsa sipas Daily Mail, zhvillimet e fundit kanë detyruar presidentin Donald Trump të shqyrtojë “të paimagjinueshmen” në lidhje me balancën bërthamore dhe mbrojtjen strategjike të SHBA-së.

Rusia, ndërkohë, e ka paraqitur projektin si “armë të parandalimit strategjik”, por Perëndimi e sheh si një kërcënim serioz për sigurinë globale.