75 Mall Live Search
22:04 / E Martë, 26 Gusht 2025 / BA

Zbulohet çmimi marramendës i unazës së fejesës së Taylor Swift

Taylor Swift dhe Travis Kelce i dhanë fund muajve të spekulimeve duke konfirmuar fejesën e tyre me një moment romantik në një kopsht të mbushur me trëndafila.

Por ndërsa fotot intime të çiftit bënë xhiron e botës, gjithë vëmendja u përqendrua tek unaza gjigante e fejesës që këngëtarja e famshme mbante në dorë.

Sipas Page Six, bëhet fjalë për një diamant “Old Mine cut” të markës Artifex Fine Jewelry, një prerje e rrallë që daton që nga shekulli i 18-të dhe i 19-të. Diamantët e këtij lloji njihen për formën e tyre të ngjashme me jastëk, qoshet e rrumbullakëta dhe dritën unike që reflektojnë. Çdo gur është prerë me dorë, duke e bërë secilin të papërsëritshëm.

Unaza është bashkë-dizajnuar nga Kindred Lubeck dhe vetë Travis Kelce, duke e kthyer në një dhuratë edhe më personale. Versionet e zakonshme të Lubeck fillojnë nga 4,300 dollarë, ndërsa dizajnet më të punuara me diamante 5 karatësh shkojnë deri në 38,000 dollarë. Por rasti i Taylor është krejt ndryshe.

Ekspertët thonë se unaza e saj është një pjesë e personalizuar, unike, me një diamant të vendosur në stil “bezel setting” – një rrethim i artë që mban gurin kryesor dhe është aktualisht një nga trendet më të kërkuara në botën e bizhuterive.

Çmimi? Raportimet fillestare e vlerësojnë nga 750,000 deri në 1 milion dollarë. Por sipas George Khalife, i njohur si George the Jeweler dhe një nga bizhuterët më të famshëm të Hollywood-it, shifra mund të jetë edhe më e lartë. Ai beson se diamanti i Taylor Swift mund të jetë mes 10 deri në 20 karatë, duke ngritur vlerën e tij në një shifër marramendëse prej 1 deri në 5 milionë dollarësh.

“E gjithë pamja e unazës është antike, elegante dhe i përshtatet në mënyrë perfekte Taylor-it. Ky stil nuk është vetëm i bukur, por edhe i përjetshëm,” – tha Khalife.

Unaza e fejesës së Taylor Swift pritet të bëhet një nga më të famshmet në botë, duke shënuar jo vetëm një moment të veçantë në jetën e saj, por edhe një ikonë të re në botën e modës dhe bizhuterive.