13:20 / E Hënë, 30 Janar 2023 / AR

Zbulohet në Antarktidë meteori që përmban material miliarda vjeçar nga hapësira

Shkencëtarët kanë zbuluar një meteorit jashtëzakonisht të rrallë në Antarktidë që përmban disa nga materialet më të vjetra në sistemin diellor.

 “Kur e pamë, vetëm në mes të akullit blu, të gjithë u emocionuam shumë”, tha studiuesja Maria Valdes për Chicago Tribune.

Meteori, i cili peshon rreth 8 kg, u zbulua më 5 janar nga një ekip ndërkombëtar në fund të një ekspedite 11-ditore.

Shkëmbi hapësinor, i cili përmban materiale nga miliarda vjet më parë, është një nga meteoritët më të mëdhenj të gjetur ndonjëherë në kontinent dhe ka të ngjarë ta ketë origjinën në Brezin Kryesor të Asteroideve midis Marsit dhe Jupiterit, raporton The Independent .

“Për të vënë në perspektivë madhësinë e meteoritit, nga 45,000 meteoritët të gjetur në Antarktidë gjatë shekullit të kaluar, vetëm 100 janë të kësaj madhësie ose më të mëdha,” thuhet në njoftim.

Studiuesit e ekipit ndërkombëtar që ndodheshin në kontinentin e akullt kaluan dy javë duke krehur fushat e akullit në kërkim të meteoritëve kur gjetën shkëmbin hapësinor.