75 Mall Live Search
09:56 / E Mërkurë, 09 Korrik 2025 / k.v

Zbulohet skemë e paligjshme bixhozi në Fushë Kosovë

Një lokal i lojërave të paligjshme të fatit është zbuluar mbrëmë nga Policia e Kosovës në Fushë Kosovë. Rreth orës 23:30, pas një raportimi, njësitë policore kanë ndërhyrë në një lokal ku është zbuluar një aktivitet i organizuar i bixhozit dhe skemave piramidale, transmeton IndeksOnline.

Në momentin e ndërhyrjes, në lokal janë hasur tetë persona duke luajtur poker dhe lojëra të ndaluara përmes kompjuterëve. Policia ka shoqëruar në stacionin policor dy persona – pronarin e lokalit në cilësinë e të dyshuarit dhe një tjetër mashkull si dëshmitar.

Nga vendi i ngjarjes janë sekuestruar 45 pako me letra pokeri, një valixhe dhe pesë çanta me qipsa (fisha) pokeri, si dhe dy shtëpiza kompjuterike dhe DVR të kamerave të sigurisë.

Me vendim të prokurorit, rasti do të procedohet në procedurë të rregullt hetimore. Policia ka bërë të ditur se do të vijojë aksionet për të parandaluar aktivitetet e jashtëligjshme të lojërave të fatit në gjithë territorin e vendit./IndeksOnline/