75 Mall Live Search
22:12 / E Diele, 22 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Zbulohet ‘ushqimi’ që i rrit vrimat e zeza

Vrimat e lashta të zeza janë bërë objekte super-masive ashtu siç duken sot, duke ‘u ushqyer’ nga rezervuarët e gazit dhe pluhurit 12.5 miliardë vjet më parë, thonë astronomët.

Një ekip studiuesish ndërkombëtarë që përdorin teleskopin e madh në Kili, kapi imazhet e ‘ushqimit të vrimës së zezë’  përreth zemrës së galaktikave të hershme, transmeton KosovaPress.

Ekipi thotë se këto furnizime lejuan që vrimat kozmike të rriten me shpejtësi në një kohë kur universi ishte shumë i ri.

Ata besojnë se gjetjet e tyre shtojnë ‘një pjesë thelbësore për enigmën’ se si formohen strukturat më të hershme kozmike, siç janë grupimet galaktike dhe zbrazëtitë. “Prania e këtyre’ përbindëshave ‘në universin e hershëm është një mister’, tha  Emanuele Paolo Farina nga Instituti Max Planck.

Vrimat e zeza super-masive janë disa miliarda herë më të mëdha se masa e Diellit tonë dhe deri më tani mendohej se nuk kishte materiale të mjaftueshme rreth tyre për të nxitur rritjen.

“Ato mund të ishin formuar nga rënia e yjeve të parë dhe duhet të ishin rritur shumë shpejt”, thotë Farina.

‘Ushqimi i vrimës së zezë’ me gaz të ftohtë dhe pluhur nuk ishte gjetur nga astronomët në sasi të mëdha të mjaftueshme për të shpjeguar këtë rritje të shpejtë.

“Tani jemi në gjendje të demonstrojmë, për herë të parë, se galaktikat fillestare kanë ushqim të mjaftueshëm për të mbajtur vrimat e zeza në rritje dhe formimin e fuqishëm të yjeve”, shton Farina.

Astronomët përdorën teleskopin e Observatorit Jugor Evropian, duke përfshirë një instrument në bord të njohur si Muse, për të mbledhur të dhëna për vrimat e zeza.

Ata vëzhguan 31 bërthama jashtëzakonisht të ndritshme në galaktikat aktive.

Astronomët kanë gjetur se 12 prej këtyre bërthamave ishin të rrethuara nga rezervuare të mëdha të përbëra nga gazi i dendur i hidrogjenit.

Brezi i ardhshëm teleskopi jashtëzakonisht i madh, i cili do të vendoset në orbitën e tokës, në vitin 2025, do t’i lejojë shkencëtarët të zbulojnë më shumë detaje rreth galaktikave dhe vrimave të zeza super-masive.

“Me fuqinë e ELT, ne do të jemi në gjendje të gërmojmë edhe më thellë në universin e hershëm për të gjetur më shumë mjegulla të tilla gazi”, thotë Farina.