22:50 / E Shtunë, 22 Qershor 2019 / indeksADMonline

Zëdhënësi i Feronikelit: Kërkojmë përkrahjen e të gjithëve drejt ëndrrës së madhe

Feronikeli do të luaj për herë të parë në një garë evropiane.

Kampionët e Kosovës luajnë në fazën preliminare të Ligës së Kampionëve kundër skuadrës nga Gjibraltarit, Lincoln Red Imps.

Ndeshjet e kësaj xhiroje do të zhvillohen në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe skuadra nga Drenasi kërkon përkrahje të madhe.

Zëdhënësi i Feronikelit, Erlind Krasniqi në një deklaratë për Indeksonline ka thënë se ndeshja është shumë e rëndësishme dhe pret përkrahje të madhe pasi në këtë garë po përfaqësohet edhe Kosova.

Kjo është deklarata e Krasniqit:

Janë ndeshje të rëndësishme pa dyshim, pasi klubi ynë po luan për herë të parë nën “ombrellën” e garës së UEFA-s, Champions League.

Sidoqoftë të luash në këtë rang të ndeshjeve, përveç benefiteve, ka edhe përgjegjësitë e veta. Ka pasur shumë punë brenda e jashtë klubit, pasi që UEFA është organizatë serioze që kërkon organizim perfekt, por shpresojmë e gjithë kjo të na shpërblehet në rezultate.

Kosova është nikoqir i mini turneut të preliminatoreve të Champions, ku përveç Feronikelit, është dashur organizim edhe për takimin tjetër mes Tre Penne dhe FC Santa Coloma, gjë që ka kërkuar angazhim shtesë.

Ne jemi tejet të interesuar për bashkëpunim sa më cilësor me UEFA-n, dhe duam të dëshmojmë që jemi të aftë për organizime të tilla, e pse jo edhe më të mëdha.

Kërkesa për bileta ka jashtëzakonisht shumë, nuk janë vetëm fansat e Feronikelit që kërkojnë biletë, por edhe fansa të futbollit të gjithë Kosovës. Kjo për shkakun që në një farë mënyre, në Champions po përfaqësohet edhe Kosova dhe jo vetëm klubi ynë. Prandaj i bëj thirrje të gjithë fansave të futbollit të Kosovës të jenë në stadium.

Sa i përket aspektit të sigurisë, jemi në përputhje të plotë me rregullat e UEFA-s, rregullat e stadiumit dhe të garës. Nuk do të bëjmë lëshime në aspektin e sigurisë dhe kjo për ne do të jetë primare. Lus fansat që të përkrahin klubin në mënyrë sa më të dinjitetshme, pasi që tani përfaqësohet e gjithë Kosova dhe jo vetëm Feronikeli.

Këshillojmë fansat  që biletat të i sigurojnë me kohë dhe të paraqiten në stadium me kohë poashtu. Kërkojmë përkrahjen maksimale nga ta në këtë turne tejet të rëndësishëm. /IndeksOnline/