Zëdhënesi i Kurtit flet për “uljen e papunësisë” në Kosovë

Zëdhënësi i Qeverisë Kurti, Përparim Kryeziu, përmes një postimi të bërë në Facebook, ka shkruar rreth situatës së ekonomisë së vendit tonë në kohën e pandemisë COVID19, e cila edhe u komentua shumë.
Ai ka thënë se ekonomia joformale është brengë dhe rëndesë e kahmotshme e zhvillimit ekonomik, përkatësisht mungesës së mirëfilltë të tij.
“Matjet mbi ekonominë joformale identifikojnë se 30-40% e ekonomisë sonë është e paregjistruar. Për nga definicioni, ekonomia joformale ose ekonomia e padeklaruar, përfshinë aktivitetet ekonomike të cilat zhvillohen duke u fshehur nga ose injoruar kornizën formale ligjore. Disa nga format e ekonomisë joformale janë punësimi joformal (pa kontratë), pagesat joformale (të paregjistruara ose para në dorë), nën-deklarimi i të hyrave ose pagesës mujore etj.
Një nga arsyet kryesore pse Kosova ka një nivel kaq të lartë të ekonomisë joformale është mungesa e besimit të qytetarëve ndaj institucioneve publike. Qeveritë e kaluara, përgjatë këtyre viteve, nuk kanë arritur që të prezantojnë formalizimin e punësimit dhe ekonomisë si të leverdisshme për bizneset”, shkruan ai.
Kryeziu tutje thotë se Qeveria Kurti, derisa në detyrë dhe duke u përballur me pandemi, ka arritur që nëpërmjet Pakos Fiskale Emergjente, në më pak se 40 ditë t’i nxisë bizneset që të regjistrojnë 10.597 punëtorë të cilët më parë nuk figuronin në regjistrin shtetëror.
“Këta punëtorë tani gëzojnë kontratë të paktën një vjeçare, u paguhen kontributet pensionale, për këta punëtorë paguhet tatimi në të ardhura që ndikon në rritjen e të hyrave buxhetore, dhe të drejtat e tyre janë të garantuara dhe të mbrojtura sipas Ligjit të Punës”./Indeksonline
