75 Mall Live Search
10:47 / E Mërkurë, 14 Korrik 2021 / OSH

Zëdhënësi i Qeverisë arsyeton mungesën e Kurtit në Deçan, tregon agjendën e tij në Greqi

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dje është akuzuar me të madhe nga opozita dhe shoqëria civile për mungesën  e tij në Deçan, pasi u helmuan rreth 1500 persona, shkruan IndeksOnline.

Por, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, përmes një postimi në Facebook, ka arsyetuar mungesën e tij duke shpalosur agjendën e Kurtit në Greqi.

Ai bëri të ditur se Kurti ka udhëtuar në Athinë me ftesë të organizatorëve të dy konferencave të rëndësishme, në të cilat kryeministri ka qenë pjesë e panelit të diskutimit. 

Kryeziu tha se sivjet është hera e katërt që kryeministri Kurti po merr pjesë në Simpoziumin Symi.

Ai tregoi se Kurti nga Athina është interesuar për Deçanin duke biseduar me kryetarin Bashkim Ramosaj dhe ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia.

Postimi:

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti është në vizitë zyrtare në Greqi që nga data 8 korrik.  Ai ka udhëtuar në Athinë me ftesë të organizatorëve të dy konferencave të rëndësishme, në të cilat kryeministri Kurti ka qenë pjesë e panelit të diskutimit. 

Fillimisht, me 9 korrik, kryeministri Kurti ishte pjesëmarrës në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga “The Economist” dhe Qeveria e Greqisë. Aktualisht, po merr pjesë në Simpoziumin SYMI.

Sivjet është hera e katërt që kryeministri Kurti po merr pjesë në Simpoziumin Symi, ku politikanë progresistë e akademikë të shquar nga mbarë bota ftohen bashkë me familjet e tyre. Edhe vitin e kaluar, sikurse sivjet, simpoziumi po mbahet saktësisht në të njëjtin vend, në Lagonissi afër Athinës, dhe edhe kësaj radhe bashkëshortja e Kryeministrit merr pjesë në njërin nga panelet e simpoziumit. Shpenzimet e udhëtimit dhe të akomodimit mbulohen nga organizatori.

Postimet nga pjesëmarrja e kryeministrit Kurti në vitet e kaluara mund t’i shihni këtu:

https://www.facebook.com/albini2017/posts/927956037704281 https://www.facebook.com/albini2017/posts/641782839654937 https://www.facebook.com/albini2017/posts/402236570276233

Gjatë qëndrimit në dy konferenca atje, kryeministri Kurti zhvilloi takime të shumta me përfaqësues të lartë qeveritarë dhe politikë, sikurse ai me kryeministrin e Greqisë, z. Mitsotakis, ministrin e Punëve të Jashtëm, z. Dendias, ministrin e Mbrojtjes Kombëtare, z.Panagiotopoulos  dhe liderin e opozitës, z. Tsipras, si dhe zëvendëspresidentin e Komisionit Evropian, z. Schinas dhe politikanë e diplomatë nga rajoni dhe bota.

Pas takimit të djeshëm me ministrin e Punëve të Jashtme, z.Dendias, kryeministri Kurti ka biseduar në telefon me kryetarin e Komunës së Deçanit, z. Ramosaj dhe me ministrin e Shëndetësisë, z.Vitia më të cilin bisedoi gjersa ai po qëndronte në Deçan. Dje në Deçan ishin edhe Presidentja e vendit, znj. Osmani,  zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Gërvalla dhe ministri i Mbrojtjes, z. Mehaj.

Të helmuarve ju dëshirojmë edhe njëherë shërim të shpejtë. Po bëjmë gjithçka me të gjitha mundësitë, që së bashku të tejkalojmë këtë gjendje.