Zëdhënësi i Qeverisë: Përkundër përpjekjeve për ta eskaluar protestën, ajo ishte paqësore

Zëdhënësi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se protesta e organizuar nga PSD ka përfunduar në mënyrë paqësore.
Ai tha se Qeveria po angazhohet që të zbusin sa më shumë ndikimin e krizës globale të energjisë tek qytetarët, shkruan IndeksOnline.
“Përkundër përpjekjeve për ta eskaluar protestën, ajo ishte paqësore. Për këtë i falënderojmë organet e rendit për profesionalizmin dhe durimin.
Gjithashtu i falënderojmë qytetarët për mbështetjen ndaj qeverisë, teksa po angazhohemi që të zbusim sa më shumë ndikimin tek ta të krizës globale energjetike”, tha ai.
Ndryshe, sot është mbajtur protesta e thirrur nga Partia Socialdemokrate e Kosovës, kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike, ndërsa disa nga anëtarët e Partisë Socialdemokrate janë përplasur me Policinë e Kosovës.
Anëtarë të PSD-së kanë tentuar të mbajnë fjalimin para shkallëve të ndërtesës së Qeverisë, çka solli edhe përplasje mes Policisë dhe protestuesve.