21:19 / E Premte, 23 Tetor 2020 / OSH

Zejnaj për përfshirjen e vëllaut në vjedhjen e 2 milionëve: S’jemi familje e punëve të pista

Ish-shefi i kabinetit të ish-ministrit të Infrastrukturës, Palë Lekaj, Argjend Zejnaj ka reaguar pasi vëllai i tij është përmendur si i përfshirë në skemën e vjedhjes në Thesarin e Shtetit.

Zejnaj ka thënë se do të padisë për shpifje medien e cila ka publikuar hulumtimin, duke theksuar se nuk i njeh dhe nuk i ka takuar asnjëherë pronarët e kompanisë e cila po hetohet për skandalin e 2 milionë eurove.


“Përkitazi me shpifjen e insajderit, e cila si kundërpeshë do të marr një padi në gjykatë. Vehbi Kajtazi, ka qenë shok dhe punëtor i vëllait tim dhe besoj na njeh shumë mirë, nëse ne jemi familje e këtyre punëve të pista, për të cilat na ka përfolur në portalin e tij, mua, vëllain dhe kompaninë e tij, “KREATIV”. Asnjëherë në jetë se kam taku, se kam njohur dhe as që e njoh, kompaninë dhe ose pronarin e kompanisë e cila po hetohet për skandalin e 2 milion eurove. Sonte, Vehbi Kajtazi, shkaktoi rrezikim të jetës time, të familjarëve të mi dhe prishje të imazhit të kompanisë së vëllait, e ndërtuar më shumë mund që disa vite”, shkruan Zejnaj.

Një emër tjetër tregtar i lidhur me njerëz të politikës, e që implikohet në skemën e vjedhjes nga Thesari, është “KREATIV” Sh.P.K. Kjo ndërmarrje private është pronë e Astrit Zejnajt, vëllait të Argjend Zejnajt, anëtarit të Këshillit Drejtues të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Gjatë Qeverisë Haradinaj (2016-2019), Argjend Zejnaj shërbeu si shef i Kabinetit të Pal Lekajt, ish-ministrit të Infrastrukturës. Pikërisht nga linja buxhetore e kësaj ministrie u tërhoqën paratë, të cilat më pastaj u përdorën për kryerjen e pagesave ilegale nga Thesari i Shtetit për kompaninë “LDA Group”.

“KREATIV” Sh.P.K. është e regjistruar në Prishtinë në vitin 2016. Sipas regjistrit të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, drejtor i saj figuron Astrit Zejnaj, ndërkaq aksione në kompani zotëron edhe Arjeta Selmanaj.