75 Mall Live Search
16:30 / E Martë, 06 Korrik 2021 / A. A

Zeka: Agim Ademi duhet me pas përkrahjen e klubeve jo të kryetarëve të Regjioneve

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi të dielën mbajti takim me disa përfaqësues klubesh nga Regjioni i Mitrovicës.

Por aty nuk ishte i pranishëm kryetari i Trepçës ’89, Abedin Zeka.

Ai thotë se nuk ka qenë fare në dijeni rreth takimit.

“Neve nuk na ka ftu askush, nuk kemi ditë që ka takim. Nuk e di arsyen pse nuk jemi ftu, ndoshta e kanë ditë që kemi pakënaqësi. Kryetarët e Regjioneve nuk janë njerëz të klubeve dhe nuk kanë fol me klube që kanë pakënaqësi. Kryetarët e Regjoneve janë me dekada në ato pozicione dhe kanë interes ta përkrahin Agim Ademin sepse kanë paga, meditje, ditë kujdestarie nga Federata. Unë si përfaqësues i Trepçës ’89 as që e kam ditë që ka takim” deklaroi Zeka për Indeksonline.

Tutje ai shton se Agim Ademi duhet të ketë përkrahjen e klubeve e jo të kryetarëve të Regjioneve sepse ata nuk janë delegatë.

“Përkrahjen duhet me pas nga klubet se nga ato mbahet kryetari edhe Federata. Mos me qenë klubet, Federata nuk ekziston. Përveç në Regjionin e Gjilanit, nëpër Regjionet tjera nuk kam pa asnjë përfaqësues të Superligës apo Ligës së Parë nëpër ato takime” përfundoi Zeka.

Në anën tjetër, Agim Ademi vazhdon të deklarojë se një grup i caktuar është duke lobuar për të bindur delegatët që ta votojnë kundër tij.

/Indeksonline/