19:06 / E Mërkurë, 16 Janar 2019 / indeksADMonline

Zeka flet nga Haga: Mbi 100 ftesa janë dërguar për Gjykatën Speciale

Numër i madh i personave pritet që të intervistohen nga Gjykata Speciale rreth luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kështu ka deklaruar, në një intervistë për “Indeksonline”, deputeti i Nisma-s Socialdemokrate, Milaim Zeka.

Ai po qëndron në Hagë qe disa ditë, për t’i përkrahur dy komandantët, Rrustem Mustafa- Remi si dhe Sami Lushtakun.

Zeka ka treguar se numri i njerëzve të cilët do të intervistohen është jashtëzakonisht i madh, mirëpo duke mos specifikuar se kur do të ngritën aktakuzat nga ky institucion i drejtësisë.

“Për momentin kanë arritur 106 ftesa në Kosovë por ky numër i intervistimit mund të shkojë deri në 300. Në bazë të dhënave që ata njerëz do t’i japin natyrisht se do të shpallen aktakuzat e para nga ana e Gjykatës”, është shprehur ai.


Sipas Zekës, Specialja është një proces tepër i rëndë 19 vite nga pas lufta. Ai nuk la pa përmendur rastin e dy komandantëve; Remin e Zonës së Llapit dhe Lushtakun e Zonës së Drenicës. Dy këta kishin kaluar nëpër procese të rënda gjyqësore nga UNMIK-u e deri te EULEX-i.

Më tej, deputeti ka treguar se bisedoi mbrëmë me komandant Remin mirëpo jo për shumë detaje.

Në fund, Zeka theksoi se është i dëshpëruar me mos prezencën e Radio Televizionit të Kosovës në këtë ngjarje me rëndësi për vendin.

“Ajo çfarë më ka zhgënjyer është mos-prezenca e RTK-së këtu. E në anën tjetër ju si INDEKSONLINE e keni parë se ka pas mediume serbe, këtu nga Kosova është Klan Kosova dhe KTV-ja. Por, RTK po gabon që s’është në një ngjarje kaq të madhe. Janë dy komandantë të dy zonave kryesore të luftës dhe fal këtyre njerëzve ne e gëzojmë lirinë”, ka deklaruar Zeka. /Indeksonline/