Zeka: Kosova, vend i pasigurtë për të jetuar
Deputeti i Nisma Socialdemokrate, Milaim Zeka, ka akuzuar presidentin Hashim Thaçi dhe zëvendëskryeministrin Behgjet Pacolli se janë përgjegjës për deportimin e gjashtë gylenistëve në Turqi.
Ai gjatë fjalimit të tij në Kuvendin e Kosovës, ku po debatohet për deportimin e gjashtë shtetasve turq në Turqi, ka thënë se nuk bëhet biznes me fatin e njerëzve dhe të tejkalohen gjykatat.
“Ajo që mua personalisht më shqetëson si deputet është fakti i krijimit të pasigurisë në Kosovë. Natën kur janë kidnapuar këta njerëz, mua personalisht më është krijuar ndjenja e pasigurisë që unë të jetoj në Kosovë. Ndihem i pasigurt të jetoj në Kosovë dhe si deputet mendoj se shteti i Kosovës është 100 për qind privat, është shtet i privatizuar, është shtet me pronë 100 private, ku aksionar i këtij shteti është Hashim Thaçi dhe si gjysmë aksionar është Behgjet Pacolli, zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm. Të gjithë e dinë se përgjegjësit kryesorë për kidnapimin e gjashtë qytetarëve turq janë Hashim Thaçi dhe Behgjet Pacolli”, ka thënë Zeka.