Zeka-mësimdhënësve: Ndaloni grevën, mos i dëgjoni deputetët që po rrejnë
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka u ka bërë thirrje të gjithë punëtorëve të sektorit të arsimit që të ndalin grevën.
Në fjalimin e tij në seancën e parë plenare të Kuvendit për këtë sesion ka thënë se deputetët në mënyrë absolute, lakuriq po e tregojnë interesin e tyre personal, raporton Indeksonline.
“Në kohën kur Kosova nuk ka qenë kurrë në krizë më të madhe për shkak të gjitha partive politike të vendit dhe deputeteve që nuk kanë aprovuar ligje, nuk kanë përmbush arsyetimin pse jemi deputet. Ju bëj thirrje të gjithë mësuesve, punëtorëve të arsimit që të kthehen në vendet e punës dhe mos të dëgjojnë deputetët demagogë që rrejnë publikisht, manipulojnë e i hedhin benzinë zjarrit të Kosovës vetëm për disa vota të mira”, ka theksuar Zeka.
Sipas tij, këtë e bëjnë disa deputetët që nuk kanë pasur kurrë perspektivë.
“Ne deputetët u morëm vesh për uljen e pagës së presidentit, kryeministrit, kryeparlamentarit dhe ia kemi zbrit rrogat të gjithë deputetëve. Nuk më intereson a do të rri edhe një javë, muaj apo vit qeveria Haradinaj, po më intereson që edhe nëse shkon kjo qeveri, mos të shkoj me rrena. U jap besën që nëse një njeri ka vetëm dy gramë moral, do ta refuzonte sot pushtetin. Bëj prapë thirrje publike, në emër të fëmijëve që janë traumatizuar po bëni greva politike dhe pa arsye”, ka përfunduar Zeka. /Indeksonline/