75 Mall Live Search
10:30 / E Hënë, 04 Shkurt 2019 / indeksADMonline

Zeka: Të gjithë kriminelët duhet të përballen me fuqinë e ligjit pa dallim

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka ka kërkuar që të gjithë kriminelët të përballen me fuqinë e Ligjit pa dallim. Këto komente Zeka i ka bërë në përvjetorin e largimit me dhunë të shqiptarëve nga pjesa veriore në atë jugore gjatë vitit 2000. Ai tha se përveç largimeve të 11.364 qytetarëve, mes atyre ditëve u vranë edhe 10 shqiptarë nga kriminelët e asaj pjese.

“Nuk duhet harruar natën e 3-4 shkurtit të vitit 2000 kur kishte përfunduar lufta, nga ku filloi represioni dhe brenda një kohe të shkurtër u larguan me dhunë 11.364 qytetarë nga Mitrovica Veriore duke i deportuar në pjesën jugore. Përveç kësaj në mes këtyre dy ditëve u vranë 10 shqiptarë nga kriminelët serb të asaj pjese. Ishin plagosur një numër i madh i qytetarëve”, ka thënë Zeka.

Andaj sot shteti i Kosovës respektivisht prokuroria e Kosovës dhe gjykatat, sipas Zekës, duhet ti nxjerrin vrasësit e 10 shqiptarëve dhe të plagosurve para gjyqit e të cilët ende shëtisin të lirë.

“Gjithë këta qytetarë që janë deportuar me forcë duhet të kthehen në shtëpitë e tyre në pjesën veriore të Mitrovicës qoftë edhe me forcën e ligjit. Duhet të përfundoj më historia e kriminelëve dhe njerëzve që me direktiva të Beogradit të bëjnë politikat institucionale në pjesën veriore të Kosovës. Të gjithë kriminelët duhet të përballen me fuqinë e ligjit pa dallim”, ka thënë ai./Indeksonline/