12:00 / E Enjte, 07 Janar 2021 / OSH

Milaim Zeka tregon se a do të kandidojë përsëri për deputet: Kam qëndrime të përafërta me LVV-në, Osmanin dhe PDK-në

Ish- deputeti i Kuvendit të Kosovës, Milaim Zeka, ka thënë se ka marrë ftesa nga parti të ndryshme politike për të qenë kandidat për deputet në zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen, më 14 shkurt.

“Kam biseduar me disa parti, por nuk e kam ndërmend me u kyç (ndërlidh) në politikë. 90% nuk e kam ndërmend. Edhe me qenë kandidat edhe me fitu, prapë nuk është momenti që unë me ndryshu diçka në Kosovë me kahe pozitive. E shoh veten të pafuqishëm me i ndryshu proceset politike, me ndryshu diçka në Kosovë, për momentin”, ka thënë Zeka në një bisedë për IndeksOnline.

Zeka thotë se ka dyshime se vendi do të shkojë prapë në zgjedhje, pas këtyre të 14 shkurtit.

“Nuk po du me fol me emra, por janë disa parti që më kanë ftu, por nuk e kam ndërmend të kyçem. Nuk e shoh veten se ndonjë njeri për momentin mundet me ndryshu diçka në vend. Unë kam dyshime të mëdha se pas 6 muajve, maksimum një vit do të shkojmë prapë në zgjidhje. Të njëjtin problem, nuk do të mund të merren vesh rreth kandidatit për president dhe prapë do të shkojnë në zgjedhje”, ka theksuar ai.

“Të shoh njëherë përpilimin e listave, apo sloganet. Mirëpo në çdo parti shoh diçka të përbashkët. Unë mendojë që ky vend ka nevojë për politikanë që merret me problemet sociale, që flasin për shëndetësi dhe arsim”, shtoi ai.

Megjithatë, Zeka ka thënë se qëndrime më të afërta ka me Lëvizjen e Albin Kurtit, Vjosa Osmanin si edhe Partinë Demokratike të Kosovës.

“Qëndrime më të përafërta kam më Lëvizjen Vetëvendosje me Vjosa Osmanin dhe me Partinë Demokratike të Kosovës, nëse isha kyç isha kyç në njërën prej këtyre subjekteve. Problemet sociale me të cilat merret LVV-ja ose lufta kundër korrupsionit, por pastaj qëndrimet e LVV-së ndaj politikave të jashtme, unë jam plotësisht kundër  atyre qëndrimeve, sidomos atyre rreth dialogut”, ka shtuar ai.

Ndryshe, zgjedhjet e jashtëzakonshme do të mbahën më 14 shkurt.