18:35 / E Enjte, 17 Tetor 2019 / indeksADMonline

Zelandë e Re, shpërblehen policët që kapën terroristin që sulmoi xhamitë

Dy zyrtarë të policisë së Zelandës së Re kanë pranuar çmime për trimëri për shkak se kapën terroristin i cili kreu sulmet terroriste në dy xhamitë në Christchurch, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kryeministrja Jacinda Ardern ua dha çmimin policëve në një ceremoni private në Wellington pasi ata u nominuan nga kolegët e tyre.

Asociacioni i Policisë së Zelandës së Re nuk ka zbuluar emrat e zyrtarëve policorë në pritje të gjykimit të terroristit, Brenton Tarrant.

Policët thanë se janë shumë krenarë që kanë pranuar çmimin dhe se ata thjesht po bënin punën e tyre, thuhet në kumtesën e asociacionit.

“Për ne, është shumë e rëndësishme të dimë se kemi kryer pjesën tonë në parandalimin e viktimave të tjera të mundshme”, citohen të kenë thënë policët.

Më 15 mars të këtij viti, shtetasi australian Tarrant vrau 51 persona, duke përfshirë gra dhe fëmijë, si dhe plagosi 49 të tjerë në xhamitë Nur dhe Linwood në qytetin Christchurch.

Qytetarët turq Mustafa Boztaş, Zekeriya Tuyan dhe Temel Atacocugun u plagosën në sulm. Tuyan, i cili mori plagë serioze, ndërroi jetë në spital ku u trajtua për 50 ditë.