10:13 / E Hënë, 30 Janar 2023 / MSH

Zelensky bën thirrje për moslejimin e Rusisë në Lojërat Olimpike

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, thotë se lejimi i Rusisë të marrë pjesë në Lojërat Olimpike 2024 në Paris do të dëshmonte se “terrori është i pranueshëm”.

Ai thotë se këtë çështje e ka ngritur edhe me presidentin francez, Emannuel Macron, shkruan BBC.

“Moska nuk duhet të lejohet të përdorë Lojërat Olimpikë për propagandë” tha Zelensky.

Ndërkohë, Komiteti Ndërkombëtar Olimpik veçse ka përcaktuar që atletët rusë dhe bjellorusë të marrin pjesë si neutral në Lojërat Olimpike.

Megjithatë, Ukraina deklaron se nëse atletëve të këtyre dy vendeve u lejohet pjesëmarrja, atëherë shteti ukrainas do t’i bojkotojë Lojërat.

Sipas Zelenskyt, nuk mund të ketë neutralitet në sport, përderisa atletët e Ukrainës janë duke vdekur në fushëbetejë.