11:07 / E Enjte, 10 Mars 2022 / AR

Zelensky beson se përfundimi i luftës është i mundur vetëm pas bisedimeve të drejtpërdrejta me Putinin

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky deklaroi se ishte i gatshëm të bënte kompromis me Rusinë për t’i dhënë fund armiqësive, por këto hapa nuk duhet të tradhtojnë interesat e Ukrainës.

Kështu tha ai për Bild-in gjerman kur u pyet nëse Ukraina do të pranonte të njihte territoret e okupuara të saj (Donetsk dhe Luhansk) dhe të pranonte aneksimin e paligjshëm të Krimesë.

Zelensky vuri në dukje se Ukraina është e gatshme të ndërmarrë hapa të caktuar, por nuk duhet që vetëm Kievi të bëjë lëshime, transmeton Indeksonline.

Ju mund të bëni kompromis, por nuk duhet të jenë tradhti ndaj vendit tim. Pala tjetër gjithashtu duhet të jetë e gatshme për kompromis – prandaj quhen kompromise. Vetëm kështu mund të dalim nga kjo situatë. Për momentin ne nuk mund të hyjmë në detaje”, tha ai.

Presidenti shtoi se e konsideron përfundimin e luftës të mundur vetëm pas bisedimeve të drejtpërdrejta me presidentin rus, Putinin.

Ne ende nuk kemi pasur kontakte të drejtpërdrejta mes presidentëve. Vetëm pas bisedimeve të drejtpërdrejta mes dy presidentëve do të mund t’i japim fund kësaj lufte“, tha ai.

Në intervistë, Zelensky shmangu vlerësimin se si Gjermania e mbështet Ukrainën, duke përmendur se sheh hapa konkretë në mbështetje, por edhe duke lënë të kuptohet se pret më shumë./Indeksonline/