00:11 / E Mërkurë, 16 Mars 2022 / SH F

Zelensky gjatë takimit me tre kryeministrat e vendeve evropiane: Me aleatë të tillë ne do ta fitojmë këtë luftë

Volodymyr Zelenskiy u tha gazetarëve “me aleatë të tillë ne do ta fitojmë këtë luftë” pasi kryeministrat e Polonisë, Republikës Çeke dhe Sllovenisë bënë një udhëtim të rrezikshëm me tren në Kiev për të ofruar mbështetjen e tyre.

Komentet nga presidenti i Ukrainës pasuan një takim të jashtëzakonshëm me tre liderët e BE-së në një kryeqytet që është afër të rrethohet nga forcat ruse. Ata janë vizitorët e parë perëndimorë në Kiev që nga fillimi i agresionit rus.

Në pamjet e takimit të postuara në rrjetet sociale, Zelensky u dëgjua duke informuar liderët e BE-së për situatën e fundit ushtarake dhe humanitare dhe negociatat me Rusinë.

“Ata po granatojnë kudo”, dëgjohet duke u thënë Zelensky. “Jo vetëm Kievin, por edhe zonat perëndimore”.

Ai gjithashtu informoi kryeministrat çek, polak dhe slloven, Petr Fiala, Mateusz Morawiecki dhe Janez Janshan, se tre brigada çeçene ishin identifikuar në mesin e forcave ruse.

Me të mbërritur në Kiev, pas një udhëtimi tre-orësh, u publikua një fotografi e tre burrave dhe zëvendëskryeministrit polak Jarosław Kaczyński, i cili kishte shoqëruar liderët, ku ata studionin një hartë të Ukrainës në një dhomë të veshur me panele druri në një vend të panjohur.

Ndërkohë, një mision paqeruajtës ndërkombëtar me aftësi ushtarake duhet të dërgohet në Ukrainë, ka sugjeruar lideri i partisë në pushtet të Polonisë, Jaroslaw Kaczynski, “Unë mendoj se është e nevojshme të kemi një mision paqeje – NATO, ndoshta një strukturë më të gjerë ndërkombëtare – por një mision që do të jetë në gjendje të mbrohet, i cili do të veprojë në territorin ukrainas”