75 Mall Live Search
14:05 / E Diele, 30 Qershor 2024 / Gj. Sh

Zelensky i dëshpëruar pas sulmeve raketore: Na jepni raketa e sisteme mbrojtëse

“Na duhen më shumë raketa me rreze të gjatë dhe sisteme të mbrojtjes ajrore”. Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski përsërit thirrjen, pas një sulm raketor në qytezën e Vilniansk, pranë qytetit juglindor të Zaporizhzhia, ku u vranë 7 persona, përfshirë 2 fëmijë dhe u plagosën 31 të tjerë.

Në total, të paktën 11 civilë humbën jetën dhe 37 mbetën të lënduar gjatë valës së sulmeve raketore rreth Ukrainës të shtunën.

Në një postim në Telegram, Zelenski tha se qytetet dhe komunitetet e tyre po vuajnë çdo ditë sulme të tilla nga Rusia, por shtoi se ka mënyra për ta tejkaluar këtë, përfshirë përmes shkatërrimit të raketahedhëseve ruse, përdorimit të armatimeve me rreze të gjatë dhe rritjes së numrit të sistemeve moderne të mbrojtjes ajrore.

“Vendimet duhet të merren me shpejtësi , tha Zelenski, pasi vonesat nënkuptojnë më shumë humbje të jetëve”.

Presidenti ukrainas postoi imazhe të Vilnianskut, ku dukej një krateri i madh e po ashtu një sërë trupash të shtrirë në tokë.

Sipas prokurorit të përgjithshëm Andriy Kostin, 2 raketa kishin goditur qytezën duke dëmtuar infrastrukturë, një dyqan dhe godina banimi.

Aleatët perëndimorë i kanë siguruar Ukrainës një sërë armësh me rreze të gjatë, përfshirë raketat Scalp nga Franca e ato ATACMS të Shteteve të Bashkuara. Por fluksi i dërgesave nga SHBA, që është edhe furnizuesi kryesor me armatimi, pati ngecje gjatë 2024, pas bllokimit të ndihmave nga Kongresi.

Edhe projektligji u miratua në prill dhe sistemet e mbrojtjes ajrore bashkë me raketat po mbërrijnë në frontet e luftës, Kievi fajëson vonesat për humbje të jetëve mes forcave të veta dhe avancimin e forcave ruse.