Zelensky: Jam gati të takohem me Putin në Turqi

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka deklaruar se është gati të takohet të Enjten, me presidentin rus, Vladimir Putin në Stamboll, për të biseduar mbi përfundimin e luftës.
Vendimi i tij erdhi menjëherë pasi Donald Trump, kërkoi që Ukraina të binte dakord me ofertën e kreut të Kremlinit për bisedime të drejtpërdrejta, midis dy vendeve në Turqi.
“Nuk ka kuptim të vazhdojne vrasjet. Unë do të pres Putin në Turqi të enjten. Një armëpushim i plotë dhe pa kushte afatgjatë, për të siguruar bazën e nevojshme për diplomaci,” shkroi Zelensky në platformën “X”. Ai më parë kishte deklaruar se vendi i tij ishte i hapur për bisedime me Rusinë, por vetëm pasi të ishte në fuqi një armëpushim.
Fuqitë perëndimore bënë thirrje për një pauzë 30-ditore në luftime që duhej të fillonte këtë të Hënë. Edhe kreu i Shtëpisë së Bardhë Donald Trump në një postim në rrjetet sociale kërkoi që të gjendet dakordësi për të ndalur luftimet.
“Të paktën ata do të jenë në gjendje të përcaktojnë nëse një marrëveshje është e mundur apo jo, dhe nëse nuk është, udhëheqësit evropianë dhe SHBA-të do ta dinë se ku qëndron problemi dhe mund të veprojnë në përputhje me rrethanat. Bëjeni takimin tani!,” tha Trump.
Përpjekjet e fuqive perëndimore dhe Ukrainës për të arritur armëpushim 30-ditor presidenti rus Vladimir Putin e quajti ultimatum duke hedhur poshtë propozimet e tyre. /tvklan