75 Mall Live Search
22:00 / E Premte, 19 Dhjetor 2025 / F.R

Zelensky: Miratimi i fondeve të BE-së fitore për Ukrainën

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky e përshkroi sot si një fitore të madhe për vendin e tij miratimin nga Bashkimi Evropian të miliarda eurove fondeve shtesë, edhe pse liderët evropianë nuk arritën të bien dakord mbi përdorimin e aseteve ruse të ngrira për ndihmë ndaj Kievit.

“Miratimi i fondeve sot premtes ishte një lajm pozitiv për popullin ukrainas dhe një sinjal për Rusinë se vazhdimi i luftës nuk ia vlen”, tha Zelensky pas një takimi me presidentin polak Karol Nawrocki në Varshavë.

Pas muajve të negociatave, liderët e BE-së në Bruksel ranë dakord të ofrojnë për Kievin një hua pa interes prej 90 miliardë eurosh (105,5 miliardë dollarë), që do të financohej nga Bashkimi Evropian përmes borxhit të përbashkët.

Nëse Rusia nuk paguan dëmshpërblimin për dëmet e luftës në Ukrainë, asetet e ngrira ruse në BE do të përdoren për shlyerjen.

Shtete si Belgjika, ku mbahet  pjesa më e madhe e aseteve, kishin hezituar për përdorimin e fondeve ruse menjëherë për financimin e Ukrainës, duke pasur frikë se mund të ishte e paligjshme ose se Moska mund të hakmerrej ndaj qytetarëve dhe kompanive private evropiane.

”Pa fonde të reja, Ukraina rrezikonte një deficit prej 45–50 miliardë eurosh vitin e ardhshëm dhe do të duhej të reduktonte prodhimin ushtarak”, tha Zelensky.