Zelensky paralajmëron sulme të reja ruse ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka theksuar se Rusia po intensifikon sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të vendit.
Në fjalimin e tij të mbrëmjes, ai deklaroi se ka mbajtur një takim me komandantin e Shtabit të Përgjithshëm, ku u diskutua mbi mbrojtjen e infrastrukturës kritike, veçanërisht sektorit të energjisë.
“Rusët po përqendrojnë sërish sulmet ndaj objekteve tona energjetike. Ne kemi përgjigje për këtë dhe do të vazhdojmë të përgjigjemi, por prioriteti kryesor është stabiliteti i sistemit”, tha Zelensky, shkruan rtsh.al.
Ai gjithashtu njoftoi se u diskutuan çështje teknologjike, përfshirë rezervat e sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe prodhimin e dronëve.
Zelensky shtoi se, së bashku me ministrin e Mbrojtjes Denys Shmyhal, kanë përcaktuar objektivat për takimin e ardhshëm të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës (formati Ramstein), ku përforcimi i mbrojtjes ajrore është prioriteti kryesor.
Planet për vitin 2026, përfshirë nevojat për pajisje dhe financim, u diskutuan gjithashtu.
Më herët, në orët e para të 8 shtatorit, Rusia kreu një sulm masiv ndaj një centrali termik në rajonin e Kievit.