18:24 / E Martë, 16 Janar 2024 / MSH

Zelensky: Po punohet për të mbajtur një samit global të paqes

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se Ukraina dhe Zvicra kanë nisur punën për organizimin e një “samiti global të paqes”.

“Sot, ekipet tona tashmë kanë filluar punën për organizimin e një samiti të tillë. Jo Luftës së Tretë Botërore, por një samiti global të paqes”, tha Zelenskyy në një adresim në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.

Duke u shprehur se dje ai zhvilloi bisedime “shumë produktive” me homologen e tij zvicerane, Viola Amherd, presidenti Zelensky tha se ata diskutuan mundësinë e mbajtjes së një samiti të tillë në nivel liderësh.

Më tej, presidenti ukrainas tha se ai fton çdo lider dhe vend që “respekton paqen dhe ligjin ndërkombëtar” të bashkohet në samit.

“Paqja duhet të jetë përgjigja”, theksoi ai.

Dje, gjatë një konference të përbashkët për media me presidentin ukrainas, presidentja zvicerane tha se vendi i saj është e gatshme dhe do të organizojë një konferencë të nivelit të lartë “për ta bërë procesin e paqes një sukses”.

Zelensky, nga ana e tij, tha gjithashtu se lufta Rusi-Ukrainë do të përfundojë me një paqe “të drejtë dhe të qëndrueshme”, duke treguar më tej se ata të dielën ndërmorën hapa për të kontribuar në mundësinë e përfundimit të konfliktit përmes takimit të katërt të këshilltarëve të sigurisë kombëtare, ku morën pjesë 80 vende dhe një organizatë ndërkombëtare.

Formula e presidentit Zelensky, e cila përbëhet nga dhjetë kushte, u paraqit në samitin G20 të vitit 2022 të mbajtur në Indonezi, me hapin e fundit për të nënshkruar një marrëveshje të paqes. Formula e paqes gjithashtu fokusohet në çështje të tilla si siguria bërthamore dhe ajo e ushqimit dhe energjisë.