75 Mall Live Search
14:48 / E Enjte, 24 Prill 2025 / MSH

Zelensky: Presioni i SHBA-së ndaj Rusisë mund t’i japë fund luftës

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se SHBA-ja mund të ushtrojë më shumë presion ndaj Rusisë, për të siguruar një armëpushim.

“Ne besojmë se nëse ushtrohet më shumë presion ndaj Rusisë, ne do të jemi në gjendje t’i afrojmë pozicionet tona,” u tha Zelensky gazetarëve gjatë një vizite në Afrikën e Jugut, shkruan BBC, transmeton IndeksOnline.

Kur u pyet nëse do të ishte i gatshëm të bënte ndonjë lëshim, ai tha se fakti që Ukraina është e përgatitur të negociojë me Rusinë është një kompromis i madh dhe armëpushimi duhet të jetë hapi i parë.

“Nëse Rusia thotë se është e gatshme për armëpushim, ajo duhet të ndalojë sulmet masive kundër Ukrainës. Janë ukrainasit që po iu mbaron durimi, sepse jemi ne që jemi nën sulm dhe askush tjetër,” shtoi ai.

Komentet e Zelenskyt erdhën pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kishte akuzuar udhëheqësin ukrainas për dëmtim të negociatave të paqes, pasi Zelensky tha se Kievi nuk do të njihte kontrollin rus të Krimesë.

Ukraina ka thënë prej kohësh se nuk do të heqë dorë nga Krimea.

Trumpi pretendoi se një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës ishte “shumë afër”, por se refuzimi i Zelenskyt për të pranuar kushtet e SHBA-së nuk do të bëjë gjë tjetër veçse të zgjasë konfliktin.