75 Mall Live Search
14:14 / E Premte, 17 Tetor 2025 / H F

Zelensky sot në Shtëpinë e Bardhë/ Takon presidentin Trump për furnizimin me raketat “Tomahawk”

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u takua këtë të premte me përfaqësues të kompanisë amerikane “Raytheon”, kompani e cila prodhon raketat “Patriot” dhe “Tomahawk” që Kievi  synon të marrë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për t’u mbrojtur nga agresioni rus.

Takimi vjen vetëm disa orë përpara se Zelensky të mbërrijë në Shtëpinë e Bardhë për t’u takuar me presidentin amerikan Donald Trump ku raketat “Tomahawk” do të jenë në fokus të bisedës, raketa këto me rreze të gjatë veprimi deri në 2500 kilometra që mund të godasin thellë brenda Rusisë.

Një ditë më parë presidenti amerikan Donald Trump mbajti një bisedë telefonike me presidentin rus Vladimir Putin, për të cilin tha se do ta takojë sërish në Budapest, kryeqytetin e Hungarisë brenda dy javëve të ardhshme. Kremlini paralajmëroi Washingtonin se vendimi për t’i dhënë raketa “Tomahawk” Ukrainës do të dëmtonte marrëdhëniet mes dy vendeve, ndërsa Moska zyrtare zbuloi se telefonata e së enjtes ishte mbajtur me kërkesën tës saj.

Mbrëmja e kësaj të premteje pritet të zbulojë nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të marrin vendimin për të furnizuar Ukrainën me raketat vdekjeprurëse që mund të godasin thellë brenda Rusisë. Presidenti Rus Vladimir Putin ka mbledhur Këshillin e Sigurisë në Moskë për t’i informuar ato mbi bisedën e mbajtur një ditë më parë me presidentin amerikan Donald Trump.

Kryeministri Hungarez Viktor Orban I cili konfirmoi se vendi i tij ka nisur përgatitjet për samitin Trump – Putin në Budapest pritet të mbajë një bisedë telefonike këtë të premte me kreun e shtetit Rus.  Moska nuk ka hequr dorë nga qëllimet e saj maksimaliste për marrjen e 4 rajoneve lindore të Ukrainës, ndërsa trupat e saj vijojnë avancimin në frontin e betejës.  Bashkimi Europian dhe Ukraina e kanë bërë të qartë se nuk mund të ketë marrëveshje paqeje mes Moskes dhe Kievit nëse kjo marrëveshje do të cenonte integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit Ukrainas. Nga ana tjetër qendrimi i Shteteve te Bashkuara të Amerikes ka ndryshuar disa herë përgjatë këtij viti me Trumpin që thotë se për të shkuar drejt paqes të dyja palët duhet të bëjnë lëshimet e tyre.