75 Mall Live Search
23:33 / E Premte, 05 Shtator 2025 / F.R

Zelensky: Ukraina gati të furnizojë Sllovakinë me gaz e naftë

Ukraina është e gatshme të furnizojë me gaz dhe naftë Sllovakinë, duke zëvendësuar kështu eksportet ruse në vendin e Bashkimit Europian.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u takua me kryeministrin sllovak Robert Fico dhe theksoi se nafta dhe gazi rus nuk kanë të ardhme.

Zelensky tha gjithashtu se zhvilloi një bisedë konstruktive me Fico, duke u përqendruar në çështje të rëndësishme për të dyja vendet dhe shprehu gatishmërinë për projekte të përbashkëta energjetike, për sa kohë nuk përfshihet nafta dhe gazi rus.

Sllovakia, së bashku me Hungarinë, deri më tani ka refuzuar të furnizojë armë për Ukrainën, por Fico konfirmoi mbështetjen për anëtarësimin e Kievit në Bashkimin Europian.

Të dy vendet, si dhe Republika Çeke, janë të përjashtuara nga një ndalim i Bashkimit Evropian për importimin e naftës ruse, nga e cila janë të varura.

Ndërkohë më herët Zelensky u takua edhe me presidentin e Këshillit Europian Antonio Costa, i cili mori pjesë në një takim të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Ukrainës në Uzhgorod.

Costa tha se e ardhmja e Ukrainës është në union, ndërsa Zelensky shtoi se vendi i tij, de facto është duke u integruar në Bashkimin Europian.