75 Mall Live Search
18:14 / E Martë, 01 Qershor 2021 / AR

Zemaj: 250 mijë qytetarë të Kosovës në dy muajt e fundit janë vaksinuar në Serbi e shtete tjera

Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka deklaruar se në dy muajt e fundit, 250 mijë qytetarë të Kosovës janë vaksinuar kundër COVID-19 në Serbi, Shqipëri, Maqedoni e shtete tjera.

Zemaj thotë se ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, nuk ka informacione për këtë, ndërsa sipas tij, nga kjo ministri duhet të verifikohet shkuarja e kosovarëve për vaksinim në Serbi e shtete tjera.

“250 mijë qytetarë të Kosovës vetëm në dy muajt e fundit janë vaksinuar në Serbi, Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi e vende tjera. Ministri se ka asnjë informacion. Këtë duhet ta verifikoj Ministria e Shëndetësisë. Ata e kanë marrë një karton të vaksinimit, sot nesër do ta përdorin për udhëtim”, ka deklaruar ai në T7.

Përndryshe, Zemaj është shprehur se është papërgjegjësi kur ministri Vitia blen rreth 2 milion vaksina në kohën kur 250 mijë qytetarë vaksinohen jashtë vendit.

“Nëse edhe sot i blen 2 milion vaksina dhe nuk e dinë që 250 mijë qytetarë janë vaksinuar në Serbi e shtete tjera, kjo është papërgjegjësi. Për këtë arsye ne po kërkojmë transparencë”, ka shtuar ai.

Tutje ai ka deklaruar se kanë kërkuar informacione nga ministri Vitia për marrëveshjen e arritur me Pfizer, por që nuk kanë marrë informata në këtë drejtim.