09:29 / E Enjte, 15 Tetor 2020 / indeksADMonline

Zemaj: Klinika Infektive e QKUK-së po punon me kapacitete të plota!

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, përmes një postimi të bërë në faqen zyrtare FB ka bërë të ditur se Klinika Infektive e QKUK-së është duke punuar me kapacitete të plota.

“Bashkë me ushtruesin e detyrës së drejtorit të SSHKUK-së, dr.Valbon Krasniqi me drejtoreshën e Klinikës Infektive, dr. Lindita Ajazaj-Berisha por edhe me stafin menaxhues, biseduam si të ecim më tej, në mënyrë që rrjedha e pandemisë në ditët dhe muajt në vijim të mos na zë të pa përgatitur.

Duke inkurajuar personelin shëndetësorë në përgjithësi por të Klinikës Infektive në veçanti dhe me qëllim të përforcimit të kapaciteteve profesionale, përveç stafit aktual ditëve në vijim një numër i profesionistëve do të angazhohen edhe përmes rekrutimit të profesionistëve shëndetësorë që është në proces, por edhe përmes vullnetarëve të gatshëm për t’u angazhuar”, shkruan Zemaj.

Ai thotë se si ministër dhe si Qeveri e Kosovës, zotohen se do të jenë afër personelit shëndetësor në çdo kohë.

“Vlen të ceket se u janë vazhduar kontratat edhe 200 punëtorëve shëndetësor dhe për tre muaj, po që përkrahja financiare për mantilbardhët do të vazhdojë edhe në muajt e ardhshëm.

Falënderoj personelin mjekësor për punën e jashtëzakonshme që po bëjnë gjatë gjithë kohës”, përdundon Zemaj./Indeksonline