75 Mall Live Search
19:12 / E Shtunë, 05 Nëntor 2022 / MSH

Zemaj kritikon Qeverinë: Shëndetësia në gjendje tmerruese

Gjendja në shëndetësi vazhdon të jetë e rëndë. E pushteti aktual, nuk e ka në agjendë rimëkëmbjen e këtij sektori. Kështu thotë deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), njëherësh dhe anëtar i Komisionit për Shëndetësi Armen Zemaj, i cili nuk ka kursyer kritikat në adresë të qeverisë, sa i përket sektorit të shëndetësisë.  Ai në një intervistë për IndeksOnline tha se gjendja në shëndetësi, është tmerruese. Sipas tij Qeveria aktuale është treguar e papërgjegjshme dhe se ka degraduar plotësisht  këtë sektor.

“Në vazhdimësi jemi duke tentuar së paku në mënyrë deklarative të ngrisim zërin, të japim dhe opinione këshilla, hartim të legjislacionit që t’i ndihmojmë kësaj qeverie, të papërgjegjshme edhe për sektorin e shëndetësisë, që fatkeqësisht, sidomos kohëve të fundit por duket që nga fillimi, nga mos pasja  një program të qartë, një vizion se si  të punohet, por mbi të gjitha të menaxhohet edhe të ecet përpara në sektorin e shëndetësisë, gjendja tashmë veç ka degraduar pothuajse plotësisht. Kemi një gjendje tmerruese, në gjithë sektorin pothuajse”, tha ai.

Ndërsa thekson se kjo qeveri nuk ka vizion as plan, duke e vënë kështu në krizë, sektorin e shëndetësisë.

“Nuk po shohim ndonjë iniciativë konkrete,  as  ndonjë angazhim konkret. Më shumë po shohim iniciativa për të mbuluar dështimet, improvizime për të fshehur dështimet dhe në fund të fundit rezultati është më pak se sa zero”, tha ai.

Përveç mungesës së furnizimit së listës esenciale të barnave si dhe listave të stërzgjatura të pritjes për të marrë shërbime, Zemajt thotë se ka dhe ndërhyrje politike në zgjedhjen e drejtorëve të klinikave. Ndërsa thekson se të gjitha propozimet e opozitës,  të cilat do t’i avanconin shërbimet dhe funksionimin e këtij dikasteri,  po injorohen nga qeveria.  

” Është tentuar që të sulmohet opozita, në kuptimin  e asaj se e kemi trashëguar një gjendje të keqe. Por që njëzet muaj ajo çka kemi parë dhe çka ka lulëzuar, në institucionet shëndetësore, pothuajse në çdo të dytin muaj është licencuar një institucion privat shëndetësor. Dhe duket se këtu është interesi dhe më i madh i kësaj qeverie dhe i njerëzve, të cilët dhe kanë udhëhequr me sektorin e shëndetësisë nga LVV, por që janë të lidhur direkt me makinerinë e propagandës, që gjoja jemi për avancime shëndetësore. Por gjithçka është duke u avancuar në interesa të tyre financiare dhe klienteliste, si parti politike dhe si mazhorancë”, tha Zemaj.

E Ministria e Shëndetësisë, vazhdon të funksionojë me ushtrues detyrë. Pas dorëheqjes së ish ministrit Rifat Latifi, Qeveria ende nuk ka emëruar një ministër të ri.  Zemaj thotë se e gjithë kjo tregon se shëndetësia, nuk është në agjendën e kësaj qeverie.

“Në momentin kur nuk është në agjendë të kësaj qeverie dhe në momentin kur tentohet vetëm të ketë improvizim. Në momentin kur tentohet që grupet e interesit të udhëheqin. Atëherë duket që është e pamundshme të ketë një ministër të pavarur, ose me një ekip të vetin që do ta avanconte edhe programin e tij qeveritar politik. Por nga këto ndërhyrje tash shkuan dy ministra dhe siç duket edhe i treti. Apo i treti i improvizuar Albin Kurti, si i vete emëruar nga komisioni ekzekutiv. Kjo është një kaos edhe në kuptimin politik dhe menaxherial të këtij sektori “, tha ai./IndeksOnline/